Vendimi i Veliajt në Gjykatën e Lartë, ish-kryeprokurori: Ja çfarë pritet nga gjyqtarët
I ftuar në Euronews Albania me Thimi Samarxhiun, ish-kryeprokurori dhe avokati Eugen Beçi ka zbërthyer skenarët kryesorë se si mund të veprojnë gjyqtarët pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke spikatur tri opsionet e mundshme ligjore si dhe mundësinë e kalimit të çështjes në një seancë plenare kontradiktore.
Beçi vuri theksin te rrethanat me të cilat po përballen sot gjyqtarët, duke e cilësuar si një paradoks të paprecedentë faktin që një zyrtar të qëndrojë në “arrest në burg” ndërkohë që vijon të mbajë detyrën si kryetar i bashkisë më të madhe në vend.
Sipas tij, kjo situatë kërkon ndërhyrje urgjente legjislative për të shmangur ngërçe të tilla juridike.
“Duke pasur parasysh vendimin numër 57 të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kthyer në Gjykatën e Lartë për rishqyrtim ankimin kundër caktimit të masës së sigurimit ndaj kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, duhet të kemi parasysh faktin që Gjykata Kushtetuese e ka kthyer me tre elementë të cilat duhet t’i rishohë dhe duhet t’i rishqyrtojë Gjykata e Lartë.
Të gjithë këto elemente janë elementë të domosdoshëm të cilët Gjykata e Lartë duhet t’i shohë, por jo domosdoshmërisht duhet t’i shohë në favor të zotit Veliaj. Në faktin që Gjykata e Lartë mund të gjejë arsyetim që të thotë: po, masa e sigurimit “arrest në burg” është e përshtatshme. Por duhet ta bindë Gjykatën Kushtetuese, sepse duhet të shohim dhe parimin procedural të faktit që nesër mund të shkojë prapë në Gjykatën Kushtetuese dosja, edhe vendimi i sotëm mund të shkojë përsëri dhe prapë Gjykata Kushtetuese do thotë: “Unë të kërkova të arsyetosh, ti nuk je gjëkund me arsyetimin.”
Prandaj jemi përballë një sfide të cilën e zgjidh procedura, nene të cilat kanë lidhje me gjykimin në Gjykatën e Lartë. Pra me faktin që Gjykata e Lartë mund të lërë në fuqi vendimin duke argumentuar dhe arsyetuar të gjithë këtë element që Gjykata Kushtetuese ia ka lënë si detyrë, mund ta ndryshojë vendimin duke caktuar një masë sigurimi më të lehtë, unë po them alternativa, dhe mund të diskutojmë edhe një alternativë tjetër: mund ta prishë dhe mund ta kthejë në Gjykatën e Apelit, vetëm në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Dhe mbi të gjitha duhet të kuptojmë dhe faktin që Gjykata e Lartë ka dhe një element të rëndësishëm të cilin ne nuk e diskutojmë: sot do e marrë vendimin në dhomë këshillimi apo mund ta çojë në seancë plenare? Se ka dhe një element që ta çojë në seancë publike plenare.
Por ka dhe një rast përjashtimor të cilin e parashikon neni 437/2 i Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet që nëse gjatë dhomës së këshillimit trupi gjykues çmon se kompleksiteti i zbatimit të vendimit kushtetues kërkon debat të drejtpërdrejtë kontradiktor mes prokurorit dhe mbrojtjes apo dhe gjykatës, ajo e shtyn seancën.
Domethënë, pavarësisht se në dhomë këshillimi edhe prokurori dhe mbrojtja i kanë çuar me shkrim argumentet, mbase Gjykata e Lartë do të krijojë një perceptim në sallë të gjyqit. Prandaj dhe kjo është një alternativë të cilën procedura e lejon.
Këtë duhet ta shohim dhe do shohim se sa bindëse do jetë edhe prokuroria për të argumentuar faktin që arresti në burg është e vetmja masë e përshtatshme.
Por duhet të themi dhe të theksojmë që është një rast unikal, paradoksal, që një personi t’i japësh arrest në burg dhe akoma të jetë kryetar i bashkisë në detyrë. Të dyja elementët duket se në pamje të jashtme kanë ligjshmëri. Formalisht kanë ligjshmëri: je kryetar bashkie se të ka lënë Gjykata Kushtetuese, por dhe gjykata e posaçme thotë je nën hetim dhe unë duhet të të mbaj në masën e sigurimit arrest në burg.
Prandaj është momenti për të kuptuar që në këtë paradoks shqiptar do duhet patjetër të ketë një ndryshim legjislacioni, se nuk mundet të drejtosh ti nga burgu një bashki, bashkinë më të madhe të Shqipërisë”, u shpreh ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.