Zbulohet një specie e re maceje, për herë të parë pas 100 vitesh
– Shkencëtarët kanë identifikuar një specie të re maceje të egër në Bolivi, zbulimi i parë i këtij lloji në më shumë se një shekull.
Kafsha e vogël, e quajtur “Leopardus tilcayo”, jeton në pyjet e lagështa malore të Yungas, në lindje të Andeve.
E ngjashme me një mace shtëpie në pamje, por më e vogël dhe me njolla që i ngjajnë atyre të leopardit, “Leopardus tilcayo”, i përket grupit të maceve tigër, një grup macesh të vogla të egra që gjenden në Amerikën e Jugut.
Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore “Current Biology”, kjo mace është rreth 46 centimetra e gjatë, pa përfshirë bishtin, dhe peshon rreth 1,4 kilogramë.
Gëzofi i saj është kafe i çelët, me njolla në formë rozetash.
Zbulimi nisi në mënyrë të pazakontë. Në vitin 2017, një mace e gjetur nga një familje lokale u dërgua në qendrën e rehabilitimit të kafshëve të egra “Senda Verde”, në rajonin Yungas.
Biologia dhe eksploruesja e “National Geographic”, Paola Nogales-Ascarrunz vuri re se kafsha nuk përputhej plotësisht me asnjë nga speciet e njohura të maceve tigër.
Studiuesit analizuan më pas gjenomin e plotë të 38 individëve të gjinisë “Leopardus”, duke përfshirë edhe mostra nga muzeume.
Rezultatet treguan se “L. tilcayo” përbën një linjë të veçantë evolucionare dhe se ajo është ndarë nga të afërmit e saj rreth 1,4 milionë vjet më parë.
Emri “tilcayo” është marrë nga emërtimi që përdorin komunitetet lokale për këtë kafshë, duke përfshirë edhe njohuritë tradicionale të banorëve të zonës në identifikimin e saj.
Shkencëtarët theksojnë se dihet shumë pak për jetën e saj në natyrë.
Mendohet se është aktive kryesisht gjatë natës dhe se ushqehet me kafshë të vogla, ndërsa numri i këtyre specieve që jetojnë në natyrë dhe shtrirja e saktë e habitatit të saj ende nuk janë përcaktuar.
Aktualisht, vetëm dy nga këto mace janë përdorur për konfirmimin shkencor të species dhe një prej tyre jeton në qendrën “Senda Verde”.
Studimi gjithashtu rishikoi pemën evolucionare të maceve tigër dhe tregoi se grupi, i cili për një kohë të gjatë konsiderohej kryesisht si një specie e vetme, përbëhet nga pesë specie të dallueshme.
Studiuesit identifikuan gjithashtu një nënspecie të re në Peru.
Zbulimi ka rëndësi edhe për mbrojtjen e biodiversitetit.
Studiuesit thonë se përcaktimi i saktë i specieve, mund të ndihmojë në vlerësimin e numrit të tyre dhe të rrezikut që u kanoset, veçanërisht nga shpyllëzimi, trafikimi i kafshëve të egra dhe humbja e habitatit.
Ekspertët besojnë se përdorimi i analizave moderne gjenetike, mund të çojë në zbulimin e specieve të tjera të maceve të vogla, të cilat deri tani mund të jenë ngatërruar me specie të tjera për shkak të ngjashmërisë së tyre në pamje. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.