218 lindje më shumë se vdekjet në prill-qershor, 5 qarqe me shtesë natyrore pozitive
Shqipëria po përballet me një bilanc natyror gjithnjë e më të ngushtë të popullsisë. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, vendi regjistroi vetëm 218 lindje më shumë se vdekje, ndërsa numri i lindjeve ra me 3% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Popullsia e Shqipërisë u rrit me 218 persona në muajt prill-qershor. Sipas të dhënave të INSTAT, kjo është shtesa natyrore e tremujorit, ku u regjistruan 5,083 lindje dhe 4,865 vdekje në shkallë kombëtare. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, lindjet ranë me 3%, ndërsa vdekjet u reduktuan me 3.7%.
Të dhënat tregojnë një përmbysje të situatës së regjistruar në tre muajt e parë të vitit, kur vdekjet kishin tejkaluar lindjet me 368 persona. Por rikuperimi i tremujorit të dytë nuk ka qenë i mjaftueshëm për ta kthyer në pozitiv të gjithë gjashtëmujorin.
Në periudhën janar-qershor 2026, në vend rezultojnë 10,229 lindje dhe 10,379 vdekje. Kjo do të thotë se, vetëm nga raporti mes lindjeve dhe vdekjeve, Shqipëria e mbylli gjysmën e parë të vitit me një shtesë natyrore negative prej 150 personash.
Harta demografike e vendit vijon ndërkohë të jetë e ndarë. Në tremujorin e dytë vetëm pesë nga 12 qarqet regjistruan shtesë natyrore pozitive, ndërsa në shtatë të tjera numri i vdekjeve ishte më i lartë se ai i lindjeve. Tirana kishte bilancin më të favorshëm, me 1,033 lindje më shumë se vdekje, ndërsa Korça regjistroi rezultatin më negativ, me 265 vdekje më shumë se lindje.
Tirana vazhdon të mbajë edhe peshën më të madhe të lindjeve në vend. Në tremujorin e dytë në kryeqytet u regjistruan 2,310 lindje, ose rreth 45% e të gjitha lindjeve në Shqipëri. Në skajin tjetër qëndron Gjirokastra, me vetëm 66 lindje në tre muaj.
Megjithatë, krahasimi me një vit më parë sjell një tablo të pazakontë. Në nëntë qarqe lindjet u rritën, ndërsa vetëm në tre prej tyre ranë. Rritjen më të fortë e shënoi Dibra, me 14.6%, ndërsa rënien më të madhe e regjistroi pikërisht Tirana, me 12% më pak lindje se në tremujorin e dytë të vitit 2025.
Edhe numri i vdekjeve ra në pjesën më të madhe të vendit. Nëntë qarqe regjistruan më pak vdekje se një vit më parë dhe vetëm tre shënuan rritje. Tirana kishte numrin më të lartë, me 1,277 vdekje, ndërsa Kukësi më të ulëtin, me 97.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.