A është protesta, arketipi i Gjeneratës shqiptare Z?!
Nga Ben Andoni
Nëse do të qëndrosh midis njerëzve në protestat e ditëve të fundit në Tiranë, ndryshe nga çfarë flitet prej shumë konspiracionistëve dhe shumë të tjerëve që kanë ndërthurur tema të ndryshme të realitetit të Zvërnecit, ajo që të bën përshtypje është mobilizimi dhe mosha e pjesëmarrësve. Shumë nga ata nuk është se janë në brendësi të ngjarjeve në Shqipëri, por këtë herë të mobilizuar kryesisht nga rrjetet sociale, janë ngritur të ndezur për të treguar padrejtësi dhe duke adresuar shqetësime, përtej moshës së tyre. Janë disi konfuzë dhe këtë e shikon te sloganet dhe te rendja e disa njerëzve që marrin protagonizmin, por në thelb e gjitha po tregon shqetësimin e një brezi që ndihet vërtet i shqetësuar. Greqia, Serbia dhe Rusia që po parashtrojnë një pjesë e madhe si karburant për këto protesta apo organizime të caktuara nuk shkojnë aq shumë për të mos thënë fare me frymën. Duket sikur Gjenerata shqiptare Z ka bërë një zgjim disi të vonuar por kjo mund të jetë fillimi në të ardhmen për kauza më të mëdha dhe të organizuara. Është e vërtetë që atje mes protagonistëve ka dhe fasha sipër këtij brezi, por një gjë është e qartë, shqiptarët e rinj duan të protestojnë dhe të ndihen bashkë të përfaqësuar dhe solidarë. Të paktën, ata që kanë vendosur të rrinë në Shqipëri. Rama dhe Berisha nuk ndahen si objekt i tyre, shkaktarë të kësaj gjendje. Të dy janë mishërim i të gjitha problematikave të vendit, për ta dhe, këtë e ndjen se përfaqësuesit e politikës rrinë të veçuar në protestë dhe nuk ndihen mirë, por më shumë se kaq i sheh si të nëpërkëmbur. Ajo teza e apatisë demokratike, e fjetjes së publikut shqiptar në këto tre ditë është rrëzuar, përveç edhe një fakti që kjo protestë duket se është fillesa e një ndërgjegjësimi. Që do të thotë që nëse do të bëhen të ardhshme, do të duhen të kenë shumë më tepër frymë dhe fasha të ndryshme, organizim më të mirë dhe mbi të gjitha artikulime të specifikuara dhe të qarta.
Gjenerata Z, që duket se është pjesa kryesore e tyre, konsiderohet në botë si grupi demografik që pason Millennials dhe i paraprin Gjeneratës Alfa. Studiuesit e kanë vendosur si brez midis të lindurve të viteve nga 1997 dhe 2012. Të mendosh, është periudha që nuk e ka përjetuar gati shkatërrimin e Shqipërisë dhe luftën për ekzistencë të saj. Organizimi i tyre i fundit tregoi se përfaqësojnë cilësitë më të mira të këtij brezi. Është brezi i telefonave inteligjentë, internetit me shpejtësi të lartë dhe mediave sociale, të cilat i kanë përdorur qysh në moshë të re, ata që në zhargonin e tyre flasin rrjedhshëm për teknologji dhe mbështeten në platformat dixhitale jo vetëm për komunikim, por edhe për të thithur lajme dhe madje edhe argëtimin. Bash këtu është edhe sfida e një establishmenti të vjetër, siç është ai që drejton Shqipërinë dhe kërkesave të tyre. Por, gjithsesi, ky hap i parë tregoi dhe problematikat e tyre: Moshnjohjen mirë të problemeve dhe mbi të gjitha sitjen e individëve që mund t’i drejtojnë. Armiku më i madh i tyre është koha, stina e nxehtë, përballja me kulturën tradicionale të letargjisë publike dhe ekuilibri mes punës dhe jetës, por edhe empatisë. Gjëra që protesta e fundit ua sqaroi e po ua tregon protestuesve më së miri, kur një aradhë e tërë përdori në arsenal të jashtëzakonshëm propagandistik ndaj tyre. (Javanews)




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.