Analisti gjerman: Pas Vuçiqit, Dodiku është partneri më i vlefshëm i Moskës në Ballkan
Analisti gjerman i politikave për Ballkanin Perëndimor, Kurt W. Bassuener, ka vlerësuar se lideri i Republika Srpska-s, Milorad Dodik, ka qenë për një kohë të gjatë partneri më i vlefshëm i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për Telegrafin, bashkëthemeluesi i Këshillit për Politika të Demokratizimit (DPC) ka thënë se Dodiku ka qenë për gati dy dekada plotësisht i rreshtuar me Moskën, duke e dalluar qasjen e tij nga ajo e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas Bassuenerit, Vuçiqi ka ndjekur një politikë të arbitrazhit gjeopolitik, ndërsa Dodiku ka mbajtur një orientim shumë më të qartë drejt Rusisë.
“Ndërsa Vuçiqi ka ndjekur një politikë të arbitrazhit gjeopolitik, duke dëshmuar një orientim shpirtëror dhe moral drejt Lindjes, Dodiku ka qenë për gati dy dekada plotësisht i rreshtuar me Rusinë”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, analisti ka theksuar se që nga viti 2025 Dodiku ka filluar ta diversifikojë këtë qasje, duke u afruar me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe lëvizjen MAGA.
Sipas tij, afrimi i Dodikut me administratën amerikane mund të shpjegohet me interesat e tij politike dhe përpjekjet për të siguruar mbijetesën politike, ndërsa për Moskën ekziston shqetësimi se mund të zvogëlohet ndikimi i saj mbi një partner që ka dëshmuar efikasitet në rajon.
Bassuener ka theksuar se Dodiku nuk duhet parë thjesht si një instrument i Rusisë, por si një partner që vepron edhe mbi bazën e interesave të veta.
“Dua të jem i qartë: mendoj se Dodiku është partner i Moskës, jo një kukull e saj, megjithëse qartazi është partneri më i vogël në këtë marrëdhënie”, ka thënë ai.
Analisti ka përmendur edhe përpjekjet e Dodikut për t’u afruar me lëvizjen MAGA dhe Trumpin, përmes lobimit dhe promovimit të bindjeve të tij nacionaliste dhe islamofobe.
Sipas Bassuenerit, ky orientim dëshmon oportunizmin e tij gjeopolitik dhe instinktin për mbijetesë politike, në një kohë kur zhvillimet në marrëdhëniet ndërkombëtare krijojnë mundësi të reja për aleanca dhe ndikim në rajon./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.