Ben Andoni zbërthen krizën politike: Flamingot u kthyen në skifterë, opozita e rehatuar në rolin e saj!
Po lëmë pas një nga ato javë që duket sikur mbartin disa realitete të ndryshme politike njëkohësisht. Një nga institucionet më sensitive të vendit u përfshi në një skandal. Kryeministri Rama mbajti fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku foli për rrezikun në rritje të Inteligjencës Artificiale dhe vendin e Shqipërisë në një botë në ndryshim. Parlamenti u bë sërish pjesë e spektaklit politik, ndërsa qeveria hapi debatin rreth përgjegjësisë dhe limiteve të sistemit të drejtësisë. E gjithë kjo teksa jashtë institucioneve, vijon një protestë që edhe pas muajsh të tërë, nuk po arrin të artikulojë se çfarë do që të jetë.
Historitë janë të ndryshme, por së bashku ngrenë pyetjen se çfarë ndodh me ne kur tronditjet politike nuk na trondisin më?
Kjo ishte një nga temat e bisedës me analistin Ben Andoni në Apostrof. Duke iu referuar frazës së Slavoj Zizek rreth “cinizmit të ndritur,” Andoni përshkroi një publik, i cili ndonëse shqetësohet nga skandalet, është gjithnjë e më pak i befasuar prej tyre sepse “sot të gjithë presin skandalin e radhës,” thotë ai.
Ai thekson gjithashtu shqetësimin se, ndonëse institucionet tona mund të funksionojnë normalisht, përsëritja e ngjarjeve të tilla i çon njerëzit drejt humbjes së besimit tek to. “Ne kemi demokraci, por pa demos, pa popullin,” shprehet Andoni.
Skandali i SHISH është një shembull, por përtej personave të përfshirë, Andoni ndalet tek ajo se çfarë tregon ky episod në lidhje me pjekurinë e institucioneve tona, protokollet e tyre dhe marrëdhënien mes angazhimeve formale të vendit – përfshi ato ndaj NATO-s dhe standardeve europiane – dhe mënyrës si institucionet funksionojnë në praktikë.
Ai ishte gjithashtu kritik ndaj opozitës aktuale, për të cilën thotë se është jashtëzakonisht komode me të qëndruarit sa më gjatë në opozitë, pasi sipas tij, vazhdon të ketë akses, status dhe ndikim, pa u dashur të ndërmarrë rrezikun e qeverisjes së vendit. Por, edhe pse kjo i ka larguar njerëzit nga partitë politike, ata nuk e kanë braktisur poliitiikën.
Protestat “Flamingo” u duk se ofruan për një moment një zgjidhje të këtij problemi. Megjithatë, 100 ditë më pas, verdikti i Andonit rreth tyre është i ashpër: “flamingot nuk ekzistojnë më”; ata janë shndërruar në “skifterë.” Kritika e tij nuk fokusohet tek ndonjë emër i përveçëm, por tek paaftësia e kësaj proteste për t’u shndërruar në një organizim politik afatgjatë. “E kemi shumë të vështirë të organizohemi për të sjellë ndryshim,” thotë ai, “por e kemi tepër të lehtë të organizohemi për t’u ankuar.”
Andoni e mbyll argumentin e tij duke u kthyer tek ideja se shpesh shoqëritë duhet të përballen me “fundin” para se të mund të ndryshojnë, ndonëse nuk e romanticizon këtë. “Duhet të jemi të kujdesshëm të mos shkojmë drejt këtij fundi,” thotë ai, ndërsa shpreh keqardhje se “gjendemi në një periudhë dekadence cinike dhe përbuzëse, që e shohim përditë në vendin tonë.”
A mundet një shoqëri t’i dallojë shenjat e lodhjes institucionale në kohë për të ndryshuar kurs, para se kriza të bëhet katalizatori i vetëm?
INTERVISTA E PLOTË
Po lëmë pas një nga ato javë që duket sikur mbartin në vetvete disa realitete politike të ndryshme. Fundjavën e kaluar patëm skandalin me ish-kreun e SHISH-it, fjalimin e kryeministrit Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që në njëfarë mënyre u fokusua te mënyra si donte ta paraqiste Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, pa përmendur ndonjë problem apo shqetësim konkret të brendshëm. Kemi një parlament që — ky është më tepër këndvështrim personal — duket gjithmonë e më teatral në sjelljen e tij. Së fundmi kishim ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale dhe, mbi të gjitha këto, më shumë se njëqind ditë protesta. Si e shihni këtë moment politik që jemi duke kaluar?
Ben Andoni: Realisht, një moment kaotik. Moment kaotik dhe më çon në mendje një përcaktim të Habermasit: ekziston sistemi, por ne nuk mund t’i besojmë sistemit. Ky është një problem shumë i madh. Ne jemi në një segment demokratik, por në vendin tonë, për shkak të mungesës së shumë parametrave, ekziston sistemi, ekziston struktura, por kjo strukturë nuk është e besueshme. Në rastin tonë kjo është superstruktura, po të flasim me gjuhën e materializmit të Marksit. Dhe gjëja që më shqetëson personalisht, dhe ju e shtruat me shumë të drejtë, është se institucionet sot duken si zgjatime të një pushteti abstrakt, i cili gjendet përballë individëve që e kuptojnë, por nuk mund të bashkëveprojnë me të, nuk mund t’i besojnë. Dhe më duket se ky është një nga paradokset më të mëdha. Zoti Rama artikuloi, në mendimin tim, shumë mirë pjesën e inteligjencës artificiale në foltoren e Kombeve të Bashkuara. Por vallë ishte ai problemi më i madh që mund të shpaloste për Shqipërinë? Ne e dimë se fjalimet atje janë rutinore; janë rreth 190 vende përfaqësuese dhe çdo vend, zakonisht nëpërmjet kryeministrit ose presidentit, tregon diçka specifike për vendin e vet. Duke u kthyer në pjesën tonë të vogël, ka sot një largësi shumë të madhe të pushtetit dhe institucioneve të tij nga njerëzit. Me pak fjalë, kemi demokraci pa demos, pa popull. Ky është shqetësimi më i madh në këto momente. Ju e thatë shumë mirë që parlamenti shqiptar me përfaqësuesit e vet është gati teatral dhe besoj se kjo metaforë, përkundër asaj që shprehni, brenda ka edhe hidhërim, sepse është pushteti kryesor i vendit.
Më bëri përshtypje, në momentin që doli skandali me zonjën Hyseni dhe SHISH-in, sjellja e një pjese të madhe të deputetëve në Parlament. Kishte një lloj shpërfilljeje të plotë. Me përjashtim të disave që morën fjalën dhe debatuan, pothuajse të gjithë të tjerët ishin të përfshirë në aktivitete personale, duke u argëtuar në rrjete sociale, duke bërë blerje apo duke parë produkte online.
Kjo është vërtet shqetësuese. Demokracia sot ka një problem shumë të madh: ne zgjedhim njerëz të cilët, në momentin që marrin votën tonë, nuk na përfaqësojnë më. Përfaqësojnë kryetarët e partive. Nuk arrijnë të kuptojnë jo vetëm zhvillimet, por as kanonet se si funksionojnë sot shtetet e ndryshme. Në rastin e zonjës Hyseni, brenda fushës së prezumimit të pafajësisë, u veprua sipas disa kanoneve të NATO-s: shkarkohet, presidenti dekreton shkarkimin dhe personi lihet në arrest shtëpie për shkak të tagrit shumë të rëndësishëm që ka. Pastaj është pjesa tjetër, që lidhet me pushtetin e drejtësisë, i cili sot është një nga pushtetet më problematike në vendin tonë: më i stimuluari, më i ndihmuari, më i paguari, por që rezulton më problematik. Ky pushtet nuk njeh kanonet sot; masat e arrestit nuk kanë asnjë lloj “higjiene drejtësie”. Godet pa mëshirë edhe personazhe të këtij tagri. Ndërtohet akuza, ka rrjedhje të akuzës — kjo është një llogari tjetër — çohet për masë arresti dhe përfundon në arrest. Duket sikur përballen dy standarde: standardi i NATO-s dhe standardi i drejtësisë sonë, e cila ka marrë një forcë të jashtëzakonshme.
Edhe kur u bë ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, avionët që niseshin nga Aviano për pak minuta ishin në Beograd. E kuptoni çfarë rëndësie kemi. Plus, NATO ka një nga bazat e saj më të rëndësishme, Bondsteel, në Kosovë. Në këtë sens, këtë pjesë të sigurisë sonë kombëtare ne e kemi kthyer disi në fetish. Por ajo ka brenda një lloj sublimiteti që njerëzit që e duan shtetin e respektojnë. Ka disa kanone që duhet t’i respektosh. Dhe këtu na ka dalë një problem tjetër: përveç tagrit të NATO-s dhe atij të drejtësisë, kemi papjekurinë tonë institucionale. Çdo strukturë e tillë, me këtë lloj rëndësie, është gati strukturë ushtarake. Për shkak të interesave të vendit që duhet të mbrojë, matricën organizative duhet ta ketë në çdo moment të kopsitur. Duhet të ketë zëvendësdrejtorë, shef kabineti, njerëz përgjegjës për fusha të caktuara. Ashtu siç ndodh në luftë: nëse i ndodh diçka komandantit, brenda pak minutash zëvendësi i parë merr detyrën automatikisht. Kurse ne kemi prej vitesh njerëz që janë ushtrues detyre. Institucioneve tona u mungon edhe një kornizë protokollare për raste të tilla. Kur flitet për institucione të rëndësisë së veçantë, duhet të ketë edhe protokoll për një arrest. Zonjës iu komunikua masa kur ishte në takim me rreth 70 kolegë të saj. Kjo e tregon vendin tonë jo serioz, të papërgatitur dhe disi kaotik.
U mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë, e thirrur nga Presidenti dhe, sipas disa raportimeve në media, një nga shqetësimet që u ngrit, përveç çështjes së besimit te institucionet, lidhej me një abuzim të mundshëm brenda SHISH-it, ku ky institucion mund të ketë përgjuar prokurorë të SPAK-ut të lidhur me çështjen e AKSHI-t. Sa problematike është kjo — që institucionet tona të përgjojnë njëra-tjetrën për interesa që nuk janë më interesa të shtetit apo interesat tona si qytetarë?
Është një lloj ekuacioni ku duhet të marrim diçka të mirëqenë ose të vendosim vetë një apo dy ndryshore. Nga akuzat që kanë dalë për zonjën, për rrjedhje informacioni sensitiv dhe ndihmë ndaj një të kërkuari, dhe nëse është e vërtetë ajo që po rrjedh në media, se ky shërbim është përdorur për këtë lloj përgjimi, nuk them dot se është fundi i shtetit tonë. Por tregon normalisht që demokracia jonë dhe institucionet që kemi ngritur janë shumë larg atij përfytyrimi që Shqipëria ka për vendin e vet në Bashkimin Europian. Ka një Shqipëri që de jure është në procesin e Bashkimit Europian. Por ne të dy e dimë shumë mirë që pjesa e kapitujve është edhe plotësim i kuadrit ligjor, ndërsa nga brenda ky shtet ka probleme të pafundme. Kjo shpejtësi me të cilën Bashkimi Europian po e shtyn Shqipërinë nuk shkon dot me lëvizjen e ngadaltë të breshkës që ka vendi ynë drejt demokracisë. Kur shikon Shqipërinë, të vijnë ndër mend paradokset e famshme të Zenonit: Akili nuk e kap dot breshkën. Kjo është puna e Shqipërisë. Kemi një shpejtim marramendës në atë që tregon zoti Rama për Bashkimin Europian, ndërsa realiteti me standardet është krejt tjetër. Standardet, sidomos në javët e fundit, po dobësohen jashtëzakonisht.
Ka diçka që më tërheq këtu: perceptimi që kemi brenda për vendin tonë dhe perceptimi që krijojmë në arenën ndërkombëtare. Duket sikur politikanët tanë — sigurisht mazhoranca dhe kryeministri me sukseset ndërkombëtare e integrimin, por edhe opozita nga ana tjetër — kërkojnë gjithmonë e më tepër një lloj legjitimiteti ndërkombëtar dhe nuk shqetësohen po aq për mungesën e legjitimitetit brenda vendit. E shihni kështu dhe, nëse po, pse?
Po. Në këtë ekuacion të demokracisë shqiptare është futur prej më shumë se njëqind ditësh një protestë e cila, për hir të së vërtetës, po bie, po bie dhe po bie, duke krijuar një lloj zhgënjimi publik. Por kjo ka marrë përsipër realisht një pjesë të opozitës. Nga historia ime e gjatë në gazetari, kjo opozitë e tanishme është ndër opozitat e vetme në vendin tonë që nuk ngopet me të qëndruar në opozitë: janë më të pasur, më të vlerësuar, kanë ndoshta më shumë qasje në pushtet sesa kur ishin vetë në pushtet. Gjithë rrufetë i mban zoti Rama me pak njerëz afër tij, kurse ata janë në pozicionin më komod. Po të shikoni protestat, Shqipëria sot ka njerëz që nuk i duan më partitë politike, por duan politikën, sepse protesta është politike. Këtë i kanë bërë vendit kjo opozitë bashkë me zotin Rama: kanë zhvlerësuar respektin për partitë politike. Sidomos në platformat ku komunikojnë shumë njerëz, ke koncepte politike, por ke urrejtje për partitë politike. Ky është shqetësim shumë i madh, sepse duhet të kesh ide, por këto ide duhet t’i formulosh dhe materializosh. Ideja është abstrakte, por duhet të kthehet në subjekt material, në një konstruksion shteti: si godinë, si institucion dhe si rregulla. Këto në këtë moment mungojnë. Prandaj kjo opozitë sot është një opozitë shumë e kënaqur, e cila ka mbetur jashtë interesave të vendit.
Diçka që duket sikur i rikthehemi vazhdimisht në debatin publik është akumulimi i vazhdueshëm i skandaleve. Më bën përshtypje një gjë: të gjithë tronditemi kur i dëgjojmë, por në njëfarë mënyre asnjë prej nesh nuk surprizohet më.
Besoj se është një nga paradokset më të mëdha të kësaj pjese të demokracisë. Žižek më duket se e quante “cinizmi i ndritur”. Ndodh skandali, ne habitemi për momentin dhe pastaj nuk bën më përshtypje, sepse çdo individ sot pret skandalin e radhës. Dhe, nga ana tjetër, pyet: sa do të ndikojë ky skandal në jetën e tij? Sot skandalet nuk bëjnë më përshtypje sepse një pjesë e tyre nuk e prekin direkt jetën tonë, edhe pse nga ana morale dhe etike prekin shumë elementë që indirekt na prekin edhe ne. Njerëzit sot kanë një lloj pragmatizmi për mbijetesë, për t’u orientuar në këtë botë. Kini parasysh edhe hyrjen e inteligjencës artificiale: ka bërë që breza apo komunitete të tëra ta ndiejnë veten të përjashtuar. Çuditërisht, Shqipëria, një nga vendet më të prapambetura në kibernetikë, po hyn me hapa jashtëzakonisht të shpejtë në inteligjencën artificiale, por jo domosdoshmërisht në fushat që ndikojnë në zhvillimin e saj. Kam bërë praktikën në Liverpool, në zinxhirin e prodhimit të Range Rover-it, dhe mahniteshim me robotët e asaj kohe. Dhjetë vite më vonë, në Angli dhe Shtetet e Bashkuara flitet për gjëra krejt të tjera: për dimensionin filozofik të inteligjencës artificiale, sa po hyn në jetën tonë dhe sa po e prek strukturën tonë mendore. Tek ne ende shohim kolegë që thjesht shkruajnë me inteligjencë artificiale.
Po, janë gjithmonë e më shumë.
Gjithmonë e më shumë filozofë, psikologë, sociologë. Dhe ne po e përdorim për të evidentuar një protagonizëm shumë fals. Mendova se do të vinte një kohë kur të paktën do të ndihmonte sistemin tonë arsimor, të rregullonte disa probleme që ne nuk po i rregullojmë dot për shkak të mungesave të mëdha në formim, në empati publike dhe, mbi të gjitha, në vizionin për të bërë shtet. Më vjen keq t’ju them se, 114 vjet më vonë, ne akoma jemi në proces shtetformimi. Dhe ky proces lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar.
Një zhvillim tjetër që lidhet me diskutimin për institucionet janë ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale. Me aq sa kam lexuar, një pjesë e mirë e tyre në parim është e vështirë t’i kundërshtosh ose të thuash se janë të padrejta, sidomos ato që lidhen me paraburgimet. Dua t’ju pyes fillimisht: si ndërtojmë një sistem drejtësie ku heqja e lirisë së dikujt para se të dënohet bëhet një lloj përgjigjeje e paracaktuar?
Unë besoj se reformave te ne gjithmonë u ka munguar diçka e rëndësishme. Kjo është ndjerë që në ngritjen e shtetit shqiptar, që në kohën e Republikës së Parë dhe pastaj në kohën e Mbretërisë. Kodet tona janë marrë nga jashtë dhe, ashtu si reforma e sotme me ndikim të huaj, shpesh nuk marrin parasysh antropologjinë shqiptare. Dhe kur them antropologjinë shqiptare, duhet të kesh parasysh antropologjinë e keqbërësit, të kundërvajtësit, por edhe të njeriut që gjykon mbi ta. Jo të gjithë janë keqbërës; njerëzit mund të bëjnë edhe gabime pa dashje. Te një pjesë e njerëzve që drejtojnë drejtësinë tonë nuk gjen interpretime që lidhin zhvillimin e shoqërisë shqiptare me ligjin. Në këtë sens është e pamundur të bësh reforma vetëm duke ndryshuar letra. Mund të bësh reforma pafund, por nëse nuk ke parasysh si ka evoluar individi shqiptar, ke një handikap. Dhe nuk mund t’ia vësh fajin vetëm kësaj qeverie, sepse është një faj i mbartur: duke dëmtuar shkollën, institucionet, duke pasur një Akademi Shkencash që vegjeton, duke mos ngritur probleme jetësore si: si duhet të jetë Shqipëria pas njëzet vitesh? Kur kalojmë te sistemi i drejtësisë, kodet duhet t’u përgjigjen problemeve të një vendi në një kohë të caktuar. Kur pashë përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë dhe, nga ana tjetër, pjesën shumë deklamative të zotit Rama, pashë një ndarje shumë të madhe të ekzekutivit me pushtetin e drejtësisë. Të dy këto pushtete janë shumë larg shqiptarit të shekullit XXI. Mungojnë studimet reale se çfarë po ndodh me shqiptarët dhe me drejtësinë sot. Megjithatë, unë mendoj se ndërhyrja, të paktën e ekzekutivit në këtë rast, është e duhur, sepse disa gjëra duhet të kufizohen. Nuk mund të kemi ato përqindje të paraburgosurve, që në fund dëmtojnë edhe taksapaguesin shqiptar.
Ka edhe një lloj paradoksi. Prej vitesh publiku ka pasur kërkesën që të dënohen persona që konsideroheshin të paprekshëm: politikanë të rëndësishëm, zyrtarë të rëndësishëm të qeverive. Tani ka ardhur momenti që po shohim se këta persona dikur të paprekshëm po preken, edhe pse ende nuk kemi parë domosdoshmërisht dënime përfundimtare apo konfiskime të pasurive të përfituara përmes korrupsionit. Si mund ta bëjmë këtë bisedë pa u ndarë në dy kampe: njëra palë që i konsideron ndryshimet goditje ndaj SPAK-ut dhe pala tjetër që i sheh si shqetësime legjitime për të drejtat e njeriut? Sepse të dyja mund të jenë të vërteta në të njëjtën kohë.
Ka një mungesë serioziteti nga të dyja palët. Me gjithë respektin e madh për atë që ka bërë SPAK-u, personalisht mendoj se janë shumë larg objektivave që drejtuesit e tyre kanë treguar kur kanë marrë detyrën. Ndërkohë ky institucion, që merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka lënë krejt në hije prokuroritë e tjera të rretheve, ku korrupsioni i nivelit më të ulët vazhdon. Publiku nuk verbohet më nga historitë kriminalistike të Ballukut, Ahmetajt, Beqajt apo Veliajt. Njerëzit duan realisht që pasuria e vendosur në mënyrë të padrejtë të evidentohet si e tillë dhe të kthehet, duke pasur impakt publik. Nëse kjo nuk bëhet dhe nëse çështjet zgjasin pafundësisht, jeta njerëzore nuk e ka luksin të presë zgjatimet e politikës. Zoti Rama mund të ketë edhe dy vjet mandat, ndoshta mund të synojë edhe një tjetër, kurse jeta e njeriut të thjeshtë, me privimet e veta, zvogëlohet çdo vit për shkak të vështirësisë ekonomike, vështirësisë mendore dhe mungesës së shpresës. Nuk mund të zgjasin disa çështje pafundësisht. Pastaj duhet edhe procesi i evidentimit dhe konfiskimit të pasurisë, gjëra që nuk po ndodhin. Prandaj është zhgënjimi i madh. Në mendimin tim, sistemi i drejtësisë tek ne është një nga fajtorët më të mëdhenj për mungesën e madhe të shpresës, përveç shumë problemeve që mbart zoti Rama me qeverisjen e tij në mandatin e katërt.
Dua t’ju pyes edhe për protestën. Janë më shumë se njëqind ditë, më shumë se 120 ditë në fakt. Jam pak skeptik ndaj idesë që çdo protestë që refuzon partitë tradicionale është automatikisht progresive apo e shëndetshme. Pas kaq muajsh, kush janë politikisht Flamingot, nëse mund t’u bëjmë një përkufizim?
Unë mendoj se tashmë Flamingot nuk ekzistojnë më. Tani Flamingot janë shndërruar në skifterë dhe protagonizmi i tyre është jashtëzakonisht i lodhshëm, së pari për vetë protestën, e cila nuk arriti të bëhej lëvizje, dhe së dyti për shkak të artikulimit të paqartë politik. Kjo ndarje shpërbëri një energji që besoj se do të jetë shumë e vështirë të vijë përsëri në kohët në vazhdim. Ajo që më shqetëson është se sot ata tregojnë më shumë lodhjen e publikut sesa realisht trishtimin nga politika që na ndjek. Ne shikojmë se nuk kemi fuqi ta ndryshojmë dhe fuqia ndryshohet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve. Flamingot sot janë më shumë skifterë për interesat e pak njerëzve. Ka ende njerëz që besojnë se kjo lëvizje mund të shkojë diku, por personalisht besoj se kjo protestë e ka vrarë shumë besimin e njerëzve për ndryshim. Tema e parë, që ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura, po adresohet. Pjesa e dorëheqjes së zotit Rama duket gjithmonë e më e pamundur, nëse ata nuk duan të artikulohen nëpërmjet një formacioni politik. Nuk dua t’u besoj konspiracioneve për pagesa e të tjera, por më vjen keq që këtë lëvizje e morën peng. Pas njëqind e ca ditëve, kjo protestë na mësoi se e kemi shumë të vështirë të organizohemi për të ndryshuar, por shumë të lehtë të organizohemi për t’u ankuar. Dhe këtu prevalon ankesa, që nuk të çon askund, në një kohë kur Shqipëria realisht ka nevojë për ndryshim. Për të ngritur një mendim publik të konsoliduar për të ardhmen e Shqipërisë duhet edhe përulësi. Ndryshimi fillon nga vetja dhe unë këtë përulësi nuk e shoh te këta njerëz. Shpesh marrin përsipër protagonizmin. Dhe kjo është një tjetër gjë që ia heq shpresën shqiptarit.
Për ta mbyllur, dua t’i referohem një prej shkrimeve tuaja të para disa ditëve. Shkrimi jep idenë se shpesh duhet të prekësh fundin që të mund të ndryshosh. Por çfarë do të thotë “fund” në Shqipëri? Si do të dukej: një krizë institucionale, një shok ekonomik?
Është pyetje shumë e madhe. Dua të bëj vetëm një qasje të vogël historike. Kam hasur një intervistë me një autor austriak, i cili citonte një shkrimtar zviceran: “Ti duhet të përballesh me fundin në mënyrë që të kesh mundësi ndryshimi.” Më pas, në një panel ku isha përballë Todor Todorovit — shkrimtar dhe filozof bullgar — ai e çoi idenë më tej. Edhe fundi ka një lloj perceptimi, por nuk do të thotë automatikisht ndryshim. Nëse është vërtet fund, duhet të kalojë kohë që të ringrihesh. Todorovi tregonte për një grua të moshuar ruse që kishte përjetuar luftën dhe i kishte thënë: “E di që fundi ka erë. E ke prekur ndonjëherë fundin?” Do të doja që të mos e preknim fundin. Sepse fundi nuk është as viti 1991. Ka qenë periudhë shumë e vështirë. Viti 1997 ka qenë akoma më keq. Por edhe po t’i mbledhësh të gjitha këto, prapë nuk ishin fundi i vendit. Fundi është diçka si ato periudhat mesjetare kur plaste murtaja në një qytet dhe vdisnin tre të katërtat e tij. Në këtë sens, ideja ime është se ne nuk duhet të shkojmë drejt këtij fundi, qoftë edhe duke menduar në mënyrë abstrakte. Duhet të mendojmë diçka përpara tij, që të orientohemi në kaos dhe ta ringremë vendin tonë. Por fatkeqësisht, njerëzit duket sikur duhet ta shikojnë fundin përpara syve që të mendojnë për respektin ndaj shoqërisë, institucioneve dhe ndryshimit. Personalisht nuk e shoh këtë te shqiptarët në këtë kohë. Ndoshta me këtë fjali dua ta mbyll: jemi në periudhën e një dekadence që tek ne është cinike dhe përbuzëse. Dhe ne po e shikojmë përditë këtë në vendin tonë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.