Berisha sulmon hartën e re territoriale të PS: Akt antishqiptar, Rama synon zbrazjen e Shqipërisë!
Kreu i PD, Sali Berisha e quan një akt antishqiptar propozimin e Partisë Socialsite për hartën e re territoriale që parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se kryeministri synon zbrazjen e Shqipërisë.
“Edi Rama është një anti-shqiptar me mision zbrazjen e Shqipërisë. Natyrisht, komunat minoritare, pa diskutim që duhet të respektohen dhe të mbahen. Por pikërisht ajo që thoni ju, në qoftë se ato mbahen, pse të përbuzen dhe përçmohen, pse të injorohen dhe të shumëzohen me zero komunitetet shqiptare, kjo është një akt i mirëfilltë anti-shqiptar”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te propozimi i PD, duke ripërsëritur se parashikon shtimin e 100 bashkive të reja. Ndërsa qytetarëve u bëri thirrje ta kundërshtojnë me protesta propozimin e PS për shkrirjen e 15 bashkive.
“Ju e patë që ne kemi paraqitur projektin tonë, me të cilin shtojmë 100 bashki të reja. Dhe jo vetëm kaq, por lëmë të hapur, sepse konsultimet nuk kanë përfunduar, lëmë të hapur rritjen e numrit të tyre në varësi nga konsultimet me komunitetet. Unë përshëndes përzemërsisht të gjithë qytetarët dhe komunitetet e bashkive që i ka vënë kryqin Edi Rama për t’i zhdukur.
Por ftoj gjithashtu të gjithë qytetarët e njësive të qeverisjes vendore, që në hartën e Partisë Demokratike është vendosur të rikthehen, që i ka zhdukur në 2014-ën, të ngrenë zërin e tyre, të mos e lejojnë fatin e tyre te një njeri që e ka shndërruar Shqipërinë në narkomafie, dhe veten padrinon e saj. Të ngrihen, siç u ngritën në Poliçan, në Divjakë, në Patos, në Klos, në Dimal dhe në zona të tjera. Të ngrihen, të qëndrojnë të pamposhtur në këto të drejta të tyre themelore. Kurse përgatitjet, ne i kemi filluar dhe do vazhdojmë me intensitet.”, tha Berisha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.