Blagoje Gashiq arrestohet në portën e burgut të Spuzhit sapo vuajti dënimin: e kërkojnë Interpolët e Beogradit dhe Athinës
30-vjeçari, shtetas i Serbisë dhe i Malit të Zi, u ndalua menjëherë pas lirimit nga burgu, ku vuajti dënimin trevjeçar. Tashmë do t'i paraqitet gjyqtarit hetues të Gjykatës së Lartë në Podgoricë.
Drejtoria e Policisë (UP) njoftoi sot se Interpoli i Podgoricës, në bashkëpunim me policinë e kryeqytetit, arrestoi 30-vjeçarin Blagoje Gashiq, shtetas i Serbisë dhe i Malit të Zi, menjëherë sapo ai doli nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin me tre vjet burgim.
Arrestimi u krye në bazë të urdhër-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga NCB Interpol Beograd dhe NCB Interpol Athinë, me qëllim sigurimin e pranisë së tij në procedimet penale që zhvillohen kundër tij në këto dy shtete.
Në Serbi, procedimi penal zhvillohet për dyshimin e bazuar se Gashiq ka kryer veprat penale të “bashkimit kriminal” dhe “vrasjes së rëndë”, sipas Kodit Penal të Serbisë.
Ndërkohë në Greqi, ai dyshohet për “formim dhe anëtarësim në organizatë kriminale”, “bashkëfajësi në vrasje me paramendim të kryer në seri dhe në tentativë”, si dhe për “përdorim në vazhdimësi të dokumentit të falsifikuar”, sipas Kodit Penal të Greqisë.
Pas arrestimit, Gashiq do t’i paraqitet gjyqtarit hetues të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, brenda afatit ligjor, për vendimmarrjen e mëtejshme nga kompetenca gjyqësore.
Burimi: Vijesti



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.