Braçe reagon për protestën te Parlamenti: Sulmi ndaj policisë cenon autoritetin e shtetit, dhuna nuk është ‘Shqipëria e re’
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas incidenteve të shënuara këtë të martë gjatë protestës së zhvilluar jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Braçe u shpreh se aktet e dhunës ndaj efektivëve të policisë përbëjnë një kërcënim për vetë shtetin, duke theksuar se sulmi ndaj uniformës së Policisë së Shtetit nuk duhet parë si një incident i zakonshëm.
Deputeti socialist tha se, ndonëse edhe sulmet ndaj deputetëve janë të rënda, goditja e punonjësve të policisë është edhe më shqetësuese, pasi sipas tij cenon autoritetin e shtetit dhe rendin publik.
“Prej gati tre orësh, në rrethinat e Parlamentit, në hyrje dhe dalje të tij, janë sulmuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk janë sulmuar vetëm deputetët e Partisë Socialiste, por çdo deputet, jo vetëm burrat, por edhe gratë. Tani dua t’i drejtohem Policisë së Shtetit. Në rast se i keni shoqëruar, ose kërkoni t’i shoqëroni sepse kanë qëlluar me vezë makinën time, bëni një gabim shumë të madh. Gjërat e mia di t’i zgjidh vetë. Nuk kam pasur nevojë për askënd sot dhe nuk kam nevojë as tani. Ajo që mua më shqetëson është dora e ngritur dhe goditja ndaj policit të shtetit. Nëse goditet një deputet, natyrisht është e rëndë, sepse ka të bëjë me sovranitetin e Kuvendit. Por në rast se goditet polici i shtetit, kjo nuk është ‘Shqipëria e re’, por është kaosi i ri. Sepse, nëse bie polici i shtetit, bie shteti. Nuk bie as Partia Socialiste dhe nuk bie as sistemi për të cilin dërdëllisin këta në rrjetet sociale, por bie shteti. Ky vend e ka vuajtur shumë rënien e shtetit. Shikojeni foton duke u goditur polici i shtetit”, deklaroi Braçe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.