Denaj: Protesta duhet të qëndrojë paqësore, palët të ulen për të arritur një objektiv të caktuar. S’e kemi luksin të humbim asnjë ditë drejt BE
Deputetja e PS, Anila Denaj, ka komentuar protestën duke thënë se ajo ka elementë pozitivë pasi rrit llogaridhënien dhe shton kërkesat ndaj institucioneve dhe aktorëve të ndryshëm, por theksoi se ajo duhet të ketë elementë konkretë në mënyrë që të lind një dialog mes protestuesve dhe përfaqësuesve përkatës për arritjen e një zgjidhje.
Në emisionin “Trialog” në RTSH, Denaj tha se rastet kur shfaqen elementë kërcënues apo dhune ai i sotmi, ku janë raportuar edhe efektivë të lënduar, nuk janë dinjitoze për protestën e një vendi që aspiron të integrohet në BE si dhe që është në sezonin turistik.
Denaj u shpreh se është e rëndësishme të kuptohet qartë objektivi i protestës, duke theksuar se qëllimi nuk mund të arrihet përmes përshkallëzimit, por përmes dialogut dhe argumentit me përfaqësuesit përkatës.
“Protesta mori shkak nga incidenti i mëparshëm në Zvërnec, tërheqjen zvarrë të një protestuesi, ku më pas thirrjet për më shumë transparencë dhe ruajtjen e mjedisit janë legjitime. Kjo protestë ka elementë pozitivë, shton llogaridhënien dhe shton kërkesën ndaj të gjithë aktorëve dhe mbi të gjitha është paqësore. Nëse kjo frymë ruhet, kjo është shumë e mirë. Por nëse elementët janë kërcënues dhe ka kërcënime verbale si ato të sotmet, ku kishte edhe policë të dëmtuar, ka elementë që duhet të kuptojmë se ka nevojë që të tërhiqet e gjithë vëmendja te qetësia dhe komunikimi, dhe palët të komunikojnë mes tyre përmes institucioneve.
Deri tani janë 31 ditë dhe e rëndësishme është se çfarë objektivi duhet të arrijmë. Objektivi nuk mund të arrihet me përshkallëzim të protestës, por me argumente, të bëhet një palë dhe të ulen të diskutohet me përfaqësuesit për të arritur një objektiv të caktuar. Është për t’u vlerësuar protesta paqësore, por protestës i mungon qasja ndaj lidershipit të saj. Nuk është më thjesht për mjedisin, pasi ka elementë të theksuar politikë, kërkesat mund të adresohen për zgjidhje”, tha ajo.
Ajo vlerësoi protestën paqësore, por shtoi se asaj i mungon një qasje më e qartë lidershipi, ndërsa theksoi se çështjet e ngritura nuk lidhen vetëm me mjedisin, por kanë edhe elementë politikë që mund të adresohen për zgjidhje.
Sipas Denajt, gjuha linçuese nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve dhe është e nevojshme që protestuesit të kenë objektiva më të qarta.
“Gjuha linçuese nuk është element që jep zgjidhje. Kjo protestë duhet të ketë disa objektiva të qartë për t’u zgjidhur. Për asnjërin nga ne si qytetarë, për bizneset apo sezonin turistik nuk shërben dhuna. A ka elementë që duhen adresuar siç duhet, qoftë edhe ata politikë? A do të vijojë protesta që të vijojë të jetë paqësore?
Protesta para Kuvendit nuk është një protestë që përfaqësohet denjësisht. A është kjo që duan të gjithë protestuesit? Ne vetëm një vit më parë ishim në zgjedhje dhe të gjithë kishin mundësinë për të votuar. Ne nuk kemi luksin të humbim asnjë ditë drejt punës për integrimin në BE. Duhet që të ruhet qetësia dhe një pjesë e qetësisë të shkojë të vijojë dialogun dhe më shumë llogaridhënie dhe transparencë, por në mënyrë paqësore dhe me elementë të rëndësishëm”, tha Denaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.