Derbi Partizani-Tirana, policia jep njoftimin: Ja cilat rrugë bllokohen
Policia e Tiranës ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë derbit mes Partizanit dhe KF Tiranës, që do të zhvillohet sot në orën 18:30 në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Në kuadër të planit të masave, disa segmente rrugore do të bllokohen nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit sportiv. Kufizimet do të përfshijnë sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Lekë Dukagjini”, rrugën “Dervish Hima” dhe zonat përreth stadiumit.
Policia ka përcaktuar gjithashtu itineraret që do të ndjekin tifozët e të dyja skuadrave drejt stadiumit.
Tifozët e Partizanit do të nisen nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, do të vijojnë te “Libri Universitar”, përgjatë zonës anash Presidencës dhe në rrugën “Gjergj Filipi”, pranë “Coin”, për të mbërritur në tribunën N.
Ndërsa tifozët e KF Tiranës do të nisen nga sheshi “Skënderbej”, në drejtim të ish-Hotel “Dajti”, Urës së Dajtit, me kthim te ETC-ja. Më pas, itinerari do të vijojë në rrugën e Elbasanit, rrugën “Dervish Hima” dhe drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari”, pranë “Ambasador 3”, për të mbërritur te hyrjet V–S.
Uniformat blu do të monitorojnë lëvizjen e tifozëve përgjatë itinerareve të përcaktuara dhe nuk do të lejojnë grumbullime apo devijime nga rrugët e miratuara.
Kontrolle të rrepta do të ushtrohen edhe në hyrje të stadiumit, për të parandaluar futjen e sendeve të kundërligjshme, si sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë dhe lëndë piroteknike. Çdo tifoz duhet të ketë me vete dokument identifikimi.
Policia bën me dije se nuk do të lejohet hyrja në stadium e personave që nuk disponojnë dokument identifikimi. Gjithashtu, fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk do të lejohen të hyjnë pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor, edhe në rastet kur kanë biletë. Shoqëruesi duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Në stadium nuk do të lejohen as tifozët e identifikuar më parë nga Policia si problematikë gjatë aktiviteteve të ndryshme sportive.
Në përfundim, Policia e Tiranës u kërkon tifozëve të të dyja skuadrave të respektojnë masat e përcaktuara, ndërsa qytetarëve u bën thirrje të shmangin lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të bllokuara gjatë orareve të njoftuara.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.