Drejtësia vendos pafajësi për “bananet”! Zbardhet vendimi i gjykatës: Kokaina “u harrua” nga italianët
Drejtësia shqiptare ka hedhur dritë mbi rastin e përdorimit të kontenierëve të një kompanie të njohur për importin e bananeve, nga grupet e trafikut të drogës që veprojnë mes Amerikës Latine dhe Shqipërisë. Bëhet fjalë për kompaninë “Ziko sh.a”, të njohur përmes markës prestigjioze “Bana King”.
Televizioni Klan disponon vendimin e plotë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka vendosur pushimin e çështjes dhe heqjen e çdo akuze ndaj presidentit të kompanisë, Trifon Murataj, administratorit Petrit Demishaj dhe vetë subjektit juridik.
Vendimi, i cili ka marrë formë të prerë më datë 23 qershor 2026, vërteton me dokumente zyrtare atë që kompania deklaroi që në ditën e parë, se “Bana King” ishte viktimë e një tentative “kontaminimi” nga grupe kriminale ndërkombëtare, të cilat shfrytëzojnë linjat legjitime të tregtisë për të transportuar sasi të konsiderueshme të kokainës të prodhuar në Amerikën Latine.
Në arsyetimin e prokurorisë së Durrësit dhe vendimin e Gjykatës evidentohet fakti se drejtuesit e kompanisë “Ziko sh.a” kishin njoftuar vetë zyrtarisht të gjitha instancat shtetërore për rrezikun se kontenierët e saj mund të përdoreshin nga narko-trafikantët, shumë ditë përpara se anija me kontenierë të mbërrinte në Shqipëri.
Sipas dokumentit të gjykatës, më datë 19 tetor 2022, gati dy javë para kontrollit në port, kompania i kishte dërguar një shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Doganës dhe Kufirit Durrës, ku kërkonte vetë-kontrollin e kontenierëve të saj, pasi kishte sinjale nga furnitorët për tentativa të grupeve të trafikut në Ekuador për të trafikuar kokainë në mesin e ngarkesave me banane që ajo kishte porositur.
Në vendim citohet deklarata e presidentit të kompanisë, Trifon Murataj, i cili sqaron se kjo është një procedurë standarde sigurie që ai e ndjek me rigorozitet të lartë.
“Prej vitit 2013 e në vijim ka bërë kërkesa drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Doganave etj., kur ka marrë informacion… që grupet kriminale tentojnë të kontaminojnë me mallra të paligjshme kontenierët e shoqërisë së tij. Kërkesa është bërë dhe për rastin në fjalë.“
Një tjetër element kyç që çmontoi përfundimisht çdo hije dyshimi mbi kompaninë shqiptare ishin letërporositë e ardhura nga autoritetet europiane. Raporti ekzekutiv i autoriteteve zvicerane zbardhi skemën e vërtetë, duke vërtetuar se sasia prej 33 kg kokainë e gjetur në Durrës nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë apo porosinë e “Bana King”, por ishte thjesht një mbetje e harruar nga trafikantët në portet e Italisë.
“Nga autoritetet zvicerane raportohet hipoteza në lidhje me rrjedhjen e ngjarjeve dhe theksohet se droga e sekuestruar në Durrës… është thjesht një mbetje e harruar, pjesë e një dërgese shumë më të madhe ‘Kokaine’, të dërguar nga Ekuadori te marrësit në Seli në Portin Gioia Tauro, Itali.”
Siç sqarohet më tej, kontenieri ishte hapur dhe kontrolluar paraprakisht në Gioia Tauro, Itali, ku ishin zbritur 50 kuti me banane pa asnjë problem, moment ky ku dyshohet se rrjetet kriminale kanë tërhequr ngarkesën e tyre të paligjshme, duke harruar një pjesë të vogël brenda në kontenier.
Përveç dëshmive të punonjësve në Ekuador, që deklaruan se nuk kishin asnjë njohje me shtetasit Trifon Murataj e Petrit Demishaj, pafajësia u vërtetua edhe nga ekspertiza traseologjike, që provoi se në pakot e sekuestruara “nuk janë përftuar gjurmë papilare të vlefshme për identifikim” që të çonin drejt kompanisë. Po ashtu, kontrolli i hollësishëm i telefonit celular të administratorit vërtetoi se nuk ekzistonte asnjë komunikim i dyshimtë.
Hetimi i prokurorisë së Durrësit dhe vendimi i formës së prerë të Gjykatës provoi edhe njëherë se grupet e krimit transnacional përdorin logjistikën e bizneseve të ndershme për të kaluar sasitë e tyre të drogës nga Amerika Latine drejt Europës, nëpërmjet porteve të ndryshme detare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.