Dy piktura të Monet ekspozohen për herë të parë dhe dalin në ankand në Paris
PARIS, 17 shtator /ATSH-AFP/- Dy piktura të piktorit të njohur francez, Claude Monet, të cilat nuk janë ekspozuar kurrë më parë publikisht, janë prezantuar për herë të parë dhe do të dalin në ankand në Paris më 22 tetor, njoftoi sot shtëpia e ankandeve Sotheby’s.
Veprat, “Iris” dhe “Saule pleureur” (“Shelgu vajtues”), janë pjesë e koleksionit të familjes franceze Schlumberger, i cili përmban gjithsej 28 vepra të artistëve të njohur.
Koleksioni pritet të shitet për më shumë se 40 milionë euro.
Në qendër të vëmendjes është “Iris”, një pikturë monumentale, e realizuar nga Monet në vitet 1924–1925, gjatë viteve të fundit të jetës së tij në Giverny, në veri të Francës.
Vepra ka përmasa 160 me 180 centimetra dhe është vlerësuar nga Sotheby’s mes 22 dhe 30 milionë eurove.
Sipas shtëpisë së ankandeve, ky është vlerësimi më i lartë i vendosur ndonjëherë për një pikturë, që ofrohet në ankand në Francë.
“Iris” ka qëndruar për dekada në banesën e familjes Schlumberger në Paris dhe nuk është ekspozuar më parë për publikun.
Deri tani, vepra ishte e njohur kryesisht përmes një fotografie bardhezi.
Piktura e dytë, “Saule pleureur”, që paraqet një shelg në kopshtin e Monet në Giverny, është vlerësuar mes 9 dhe 12 milionë eurove.
Edhe kjo vepër nuk ishte shfaqur më parë publikisht.
Në ankandin e 22 tetorit do të ofrohen gjithsej katër piktura të Monet, krahas veprave të artistëve të tjerë të rëndësishëm, mes tyre Paul Cézanne, Gustave Moreau, Gustave Courbet dhe Camille Claudel.
Shitja zhvillohet në një vit të veçantë për artin francez, pasi 2026 shënon 100-vjetorin e vdekjes së Claude Monet, i cili u nda nga jeta më 5 dhjetor 1926.
Para ankandit, koleksioni do të prezantohet edhe në Hong Kong dhe Nju Jork, përpara se të rikthehet në Paris.
Kush ishte Claude Monet?
Claude Monet (1840–1926) ishte një nga piktorët më të rëndësishëm francezë dhe një prej figurave kryesore të impresionizmit, rryma artistike që ndryshoi mënyrën e të pikturuarit në Evropë në fundin e shekullit XIX.
Ai njihet kryesisht për pikturat e peizazheve, kopshteve, ujit dhe ndryshimeve të dritës.
Pikturonte shpesh të njëjtin subjekt në momente të ndryshme, për të kapur ndryshimet e dritës, ngjyrave dhe atmosferës.
Ndër veprat e tij më të njohura janë seria “Zambakët e ujit” (Nymphéas/Water Lilies), “Katedralja e Rouen” dhe “Përshtypje, lindja e diellit” (Impression, soleil levant), vepra që lidhet me origjinën e emrit impresionizëm.
Për shumë vite jetoi dhe punoi në Giverny, ku krijoi kopshtin që u bë një prej burimeve kryesore të frymëzimit, për veprat e tij të fundit.
Monet konsiderohet një nga artistët që ndikuan më shumë në zhvillimin e pikturës moderne, veçanërisht për mënyrën se si trajtoi dritën dhe ngjyrën. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.