🌤️
Tiranë 24°C · Kryesisht kthjellët 29 July 2026
S&P 500 7,316 ▼1.52%
DOW 51,594 ▼2.19%
NASDAQ 24,443 ▼1.74%
NAFTA 84.60 ▲0.17%
ARI 4,126 ▲0.71%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1381 EUR/GBP 0.8564 EUR/CHF 0.9324 EUR/ALL 93.6808 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4207 EUR/TRY 53.9310 EUR/JPY 186.47 EUR/CAD 1.6051 EUR/USD 1.1381 EUR/GBP 0.8564 EUR/CHF 0.9324 EUR/ALL 93.6808 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4207 EUR/TRY 53.9310 EUR/JPY 186.47 EUR/CAD 1.6051
₿ CRYPTO
BTC $63,623 ▼ -0.65% ETH $1,892 ▼ -1.73% XRP $1.0753 ▲ +0.8% SOL $72.9500 ▼ -1.74%
S&P 500 7,316 ▼1.52 % DOW 51,594 ▼2.19 % NASDAQ 24,443 ▼1.74 % NAFTA 84.60 ▲0.17 % ARI 4,126 ▲0.71 % S&P 500 7,316 ▼1.52 % DOW 51,594 ▼2.19 % NASDAQ 24,443 ▼1.74 % NAFTA 84.60 ▲0.17 % ARI 4,126 ▲0.71 %
EUR/USD 1.1381 EUR/GBP 0.8564 EUR/CHF 0.9324 EUR/ALL 93.6808 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4207 EUR/TRY 53.9310 EUR/JPY 186.47 EUR/CAD 1.6051 EUR/USD 1.1381 EUR/GBP 0.8564 EUR/CHF 0.9324 EUR/ALL 93.6808 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4207 EUR/TRY 53.9310 EUR/JPY 186.47 EUR/CAD 1.6051
29 Jul 2026
Breaking
Kosova

Dyshimet për varrezën masive në Zubin Potok, flet djali i njërit prej 23 intelektualëve të zhdukur të Mitrovicës

Pas nisjes së gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë, është ngritur dyshimi se mbetjet mortore të gjetura mund t’u përkasin grupit prej 23 intelektualësh të Mitrovicës, të zhdukur më 19 prill 1999.

Pas këtyre zhvillimeve, Erblin A. Ademi, djali i kirurgut Adem Ademi, njërit prej personave të zhdukur, ka vendosur të flasë publikisht pas 27 vitesh heshtjeje për fatin e babait të tij dhe 22 personave të tjerë të këtij grupi.

Ademi ka thënë se lajmet e fundit e kanë shtyrë që të ndajë dhimbjen e familjes së tij, duke theksuar se për vite me radhë kanë jetuar me pasiguri dhe pyetje pa përgjigje.

“Zhvillimet dhe lajmet e fundit më kanë shtyrë ta thyej këtë heshtje. Sot është një ditë me ndjenja të përziera për mua dhe familjen tonë. Nga njëra anë ndjejmë dhimbje të madhe, sepse pas 27 vitesh po përballemi sërish me realitetin e hidhur se babai ynë, së bashku me 22 persona të tjerë, u vranë dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka shkruar ai.

Ai ka rikujtuar se babai i tij ishte kirurg i njohur dhe i respektuar, i cili gjithë jetën ia kishte kushtuar shpëtimit të njerëzve. Sipas tij, gjatë luftës në Kosovë, Adem Ademi kishte ndihmuar edhe në trajtimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Humbja e tij ishte një plagë jo vetëm për familjen tonë, por edhe për shoqërinë”, ka shkruar Ademi, duke shtuar se familja për gati tri dekada ka jetuar me pritje, ankth dhe mungesë përgjigjesh për fatin e të afërmit të tyre.

Ai ka thënë se pas luftës kanë ekzistuar informacione se grupi prej 23 intelektualësh ishte vrarë në atë zonë, ndërsa arrestimi i personave të dyshuar për përfshirje në këtë krim dhe fillimi i gërmimeve, sipas tij, mund të çojnë drejt zbardhjes së së vërtetës.

Megjithatë, ai ka kërkuar që procesi të zhvillohet duke respektuar të gjitha procedurat institucionale dhe të mjekësisë ligjore, në mënyrë që identifikimi i mbetjeve mortore të bëhet me profesionalizëm dhe dinjitet.

“Kjo ishte një masakër dhe një krim i rëndë. Përveç vrasjes së 23 njerëzve të pafajshëm, familjet e tyre kanë përjetuar gjatë gjithë këtyre viteve një dhunë të vazhdueshme psikologjike, duke jetuar pa përgjigje dhe pa një vend ku të vendosin një lule për më të dashurit e tyre”, ka deklaruar ai.

Ademi ka thënë se nëse konfirmohet identiteti i viktimave, familjet do të kenë një lehtësim pas shumë vitesh pasigurie, pasi më në fund do të dinë vendin ku prehen të dashurit e tyre.

“Sot nuk flas vetëm në emër të familjes sonë, por edhe në emër të të gjitha familjeve që prej 27 vitesh kanë jetuar me të njëjtën dhimbje”, ka shkruar ai.

Sipas tij, zbardhja e fatit të viktimave duhet të shoqërohet edhe me drejtësi për autorët e krimit.

“Po aq e rëndësishme sa zbardhja e së vërtetës është edhe vendosja e drejtësisë. Ne jemi këmbëngulës që të gjithë autorët e këtij krimi, të gjithë ata që urdhëruan, morën pjesë, fshehën këtë masakër apo mbrojtën përgjegjësit, të përballen me drejtësinë dhe të marrin dënimin e merituar”, ka theksuar ai.

Erblin Ademi ka thënë se babai i tij nuk duhet të kujtohet vetëm për mënyrën se si humbi jetën, por për kontributin që dha gjatë saj.

“Ai ishte një njeri që shpëtonte jetë, një mjek i përkushtuar dhe një baba i dashur. Kjo është trashëgimia që na ka lënë dhe arsyeja pse do ta kujtojmë gjithmonë me krenari”, ka shkruar ai.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.