E propozoi si kandidat për Këshillin e PD, juristi Jordan Daci nxjerr blof Berishën: Pa dijeninë time, s’jam anëtar i PD
Jordan Daci, juristi i njohur, thotë se emri i tij në mesin e kandidatëve që do të votohen sot në Kuvendin e PD për Këshillin Kombëtar të partisë, është vendosur pa dijeninë e tij.
Ai thekson se nuk është anëtar i Partisë Demokratike dhe kërkon që emri i tij të hiqet nga lista dhe të mos i nënshtrohet votimit.
Reagimi i Jordan Dacit
Në lidhje me një informacion të bërë publik së fundmi, sipas të cilit emri im rezulton i propozuar si kandidat për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ndjej detyrimin të sqaroj me korrektësi dhe qetësi se nuk jam anëtar i Partisë Demokratike, nuk kam paraqitur asnjë kërkesë, pëlqim apo shprehje vullneti për të kandiduar në strukturat e saj, dhe nuk kam pasur dijeni paraprake për një propozim të tillë.
Duke ruajtur respektin për çdo qytetar apo strukturë që mund të ketë vlerësuar emrin tim, si dhe duke falënderuar cilindo propozues që mund të ketë vepruar me mirëbesim, më duhet të shprehem qartë se nuk pajtohem me përfshirjen e emrit tim në këtë proces dhe kërkoj që ai të mos konsiderohet si shprehje e vullnetit tim personal, profesional apo publik.
Aktualisht, zgjedhja ime institucionale dhe profesionale është e lidhur me kandidimin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, i qëndroj me përgjegjësi të plotë parimeve kushtetuese të pavarësisë, paanësisë, integritetit dhe mospërfshirjes në veprimtari politike, të cilat janë thelbësore për çdo kandidat që synon t’i shërbejë vendit në një funksion të tillë të lartë kushtetues.
Ky sqarim nuk synon të krijojë debat publik, polemikë apo keqkuptim politik, por vetëm të shmangë çdo interpretim të pasaktë mbi pozicionin tim.
Unë nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e këtij procesi politik, dhe emri im nuk duhet të përdoret apo të interpretohet si shenjë përkatësie, mbështetjeje apo angazhimi partiak.
Do të vijoj me seriozitet, përulësi dhe përgjegjësi rrugën institucionale të kandidimit për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen se, nëse organet përkatëse të emërtesës do të më besojnë këtë detyrë, do t’i shërbej Republikës së Shqipërisë vetëm mbi bazën e Kushtetutës, ligjit, pavarësisë dhe interesit publik.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.