“Faji është i të gjithëve për situatën në Kosovë”, Haradinaj: Serbia ka vendosur forca të shumta në kufi!
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për situatën politike në vend, në një intervistë në një studio televizive ku është ndalur te kriza institucionale dhe zgjedhjet e pritshme në Kosovë.
Haradinaj tha se përgjegjësia për situatën aktuale është e të gjitha palëve politike, duke theksuar se Kosova po kalon një periudhë të vështirë sfidash të njëpasnjëshme.
“Faji për situatën është i të gjithëve ne. Ne jemi shqiptarë, Kosova ka kaluar disa sfida një pas një”, u shpreh ai.
Ai u ndal edhe te çështja e ish-udhëheqësve të luftës, duke theksuar se ata po mbahen padrejtësisht në burg në pritje të vendimeve gjyqësore, ndërsa procesi i shtetformimit dhe ndërtimit të institucioneve vazhdon të jetë i ndërlikuar.
Sipas Haradinajt, debati kryesor sot nuk është vetëm ekzistenca e institucioneve, por cilësia e qeverisjes dhe drejtimi politik i vendit.
“Dilema është nëse është më mirë një qeveri që nuk ka drejtim të duhur apo të përballemi me sfidat që kemi sot”, deklaroi ai.
Ish-kryeministri paralajmëroi gjithashtu për përkeqësim të raporteve të sigurisë në rajon, duke akuzuar për dobësim të koordinimit me aleatët ndërkombëtarë.
Sipas tij, kjo situatë ka ndikuar që Serbia të rrisë praninë ushtarake pranë kufirit me Kosovën.
“Serbia ka përqëndruar shumë forca në kufi. Ky është rezultat i prishjes së marrëdhënieve me aleatët e sigurisë”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se Kosova duhet të rikthehet në një pozicion ku çështjet e sigurisë trajtohen në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe jo si krizë e brendshme.
“Duhet ta ndryshojmë këtë gjendje dhe ta kthejmë Kosovën nga temë sigurie në tavolinën ku merren vendimet për sigurinë e rajonit”, u shpreh ai.
Në fund, Haradinaj kritikoi qeverinë aktuale, duke thënë se sipas tij nuk është e fokusuar sa duhet në adresimin e këtyre sfidave strategjike.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.