Firmoset Memorandumi i Bashkëpunimit për industrinë detare, Rama: 500 vende pune, rritet në 2.6% buxheti për Mbrojtjen
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm këtë të martë në Vlorë në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes gjigantit italian të industrisë detare FINCANTIERI, kompanisë shtetërore KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë, me synim zhvillimin e praktikave profesionale dhe mundësi punësimi në fushën e ndërtimit dhe industrisë detare.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se qeveria do të miratojë një akt normativ për të rritur financimin e mbrojtjes, duke synuar 2.6% të buxhetit të shtetit, në përputhje me objektivat e NATO-s. Ai theksoi gjithashtu se nga kjo marrëveshje do të hapen 500 vende pune.
“Ne jemi sot në një ditë kur, pas këtij takimi, qeveria shqiptare do të miratojë një akt normativ. Ndër të tjera, Shqipëria do të angazhojë të gjithë financimin e nevojshëm për të arritur targetin e përcaktuar nga anëtarësia jonë në NATO, që e çon në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit shpenzimin tonë për mbrojtje, ku përfituesit e drejtpërdrejtë janë të gjithë ata që janë pjesë e strukturës sonë të Ministrisë së Mbrojtjes, FA, por edhe të gjithë ata që i bashkohen hap pas hapi kësaj rritjeje të jashtëzakonshme.
Janë 500 vende pune që krijohen në këtë territor, nga ky partneritet dhe, siç e tha administratori i përgjithshëm, janë 500 vende pune që kërkojnë njerëz të kualifikuar, ekspertizë të mirëpaguar, në këtë sistem të ri që po ndërtohet. Duhet pasur parasysh që të gjithë ata që do të përfshihen në këtë sipërmarrje, nuk do të jenë thjesht njerëz që zotërojnë një zanat, por do të shikohen edhe nga ana e figurës, sepse do të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së Shqipërisë.
Shërbimi në këtë sipërmarrje është një shërbim që ka një komponent patriotik dhe këtu në Vlorë ne i kemi burimet njerëzore me të cilat do të fillojë puna”, u shpreh ai.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT RAMA:
Faleminderit shumë të gjithëve! I dashur Pierroberto, i dashur Eugenio, shumë faleminderit për praninë tuaj këtu dhe shumë faleminderit edhe të gjithë të tjerëve, përfshirë edhe nxënësit dhe nxënëset e shkollës industriale “Pavarësia” që janë këtu jo si spektatorë, por si protagonistë të mundshëm të kësaj historie të re, që fillon për bazën e Pashalimanit.
Jemi këtu me një kolos të industrisë globale të anijeve, “Fincantier”-in për të nënshkruar një marrëveshje mes “Fincantier”-it, Kajos dhe shkollës industriale. Një marrëveshje e cila hap një fazë të re, duke iu referuar asaj që tha administratori i përgjithshëm i Fincantier-it.
Një kantier detar fillon në klasë, fillon aty ku ngrihet kapitali njerëzor, i cili vihet në dispozicion të një historie sipërmarrje qindra e qindra miliona eurosh.
Ne jemi sot në një ditë, kur pas këtij takimi mbasdite qeveria shqiptare do të miratojë një akt normativ, ku ndër të tjera Shqipëria do të angazhojë të gjithë financimin e nevojshëm për të arritur targetin e përcaktuar nga anëtarësia jonë në NATO, që e çon në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit, shpenzimin tonë për mbrojtjen, ku përfituesit e drejtpërdrejtë janë të gjithë ata, të cilët janë pjesë e strukturës sonë të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura, por edhe të gjithë ata, të cilët do t’i bashkohen hap pas hapi kësaj rritjeje të jashtëzakonshme të kapaciteteve tona të mbrojtjes dhe të sigurisë, pjesë e të cilës është edhe rritja e industrisë ushtarake.
Historia e industrisë tonë ushtarake dihet, është një histori dramatike, një histori e jashtëzakonshme në disproporcionet e veta. Nga një vend ndër më të militarizuarit në botë për perimetër territorial dhe numër popullsie, në një vend që humbi gjithçka nga industria e vetë ushtarake pas ndryshimit të regjimit.
Sot, ne jemi në një fazë krejt të re, ku industria ushtarake po rilind hap pas hapi dhe marrëveshja me “Fincantier-in” nuk është as e para dhe as e fundit ndër marrëveshjet që po firmosen për t’i dhënë industrisë tonë ushtarake të gjithë komponentët e vetë dhe për të pasur një sistem industrial ushtarak që funksionon nga uniformat, deri tek mjetet më të sofistikuara të Forcave të Armatosura.
Dhe në qendër të këtij procesi është një kompani e re, një kompani publike, e krijuar në bazën e leximit të praktikave më të mira ndërkombëtare. Një kompani që përfaqëson interesat e publikut dhe të shtetit, kompania Kajo, e cila është aty për të ndërtuar pikërisht këto partneritete, duke e bërë shtetin shqiptar pjesëmarrës, jo thjesht ligjërisht, por edhe financiarisht dhe duke hapur rrugën e përfitimit të ndërsjellë ekonomik midis partnerëve privat apo publik të kompanisë dhe vetë kompanisë që përfaqëson shtetin.
Është një kapërcim i jashtëzakonshëm i ndodhur në vitet e fundit, ky i kalimit tanimë në një fazë kur interesat e shtetit dhe të publikut strukturohen përmes agjencish të dedikuara, të cilat adresojnë temën e aseteve shtetërore, adresojnë temën e kapaciteteve shtetërore dhe adresojnë temën e shërbimeve të cilat jo vetëm duhen përmirësuar, por prej të cilave shteti duhet të kontribuojë dhe të marrë mbrapsht një pjesë të kontributit.
Janë 500 vende pune që krijohen në këtë territor nga ky partneritet dhe siç e tha edhe administratori i përgjithshëm, janë 500 vende pune që kërkojnë njerëz të kualifikuar, që kërkojnë ekspertizë. Janë 500 vende pune të mirë paguara, janë 500 vende pune në këtë sistem të ri që po ndërtohet. Dhe duhet pas parasysh që të gjithë ata të cilët do të përfshihen në këtë sipërmarrje nuk do të jenë thjesht njerëz që zotërojnë një zanat, por do të jenë dhe njerëz që do të do të shikohen edhe nga ana e figurës së tyre, sepse do të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, në sensin që do të marrin informacion, do të dinë shumëçka ndodh këtu brenda dhe që duhet të mbetet po këtu brenda për arsye të të gjitha atyre specifikave që ka kjo industri.
Kështu që, në një kuptim shërbimi në këto sipërmarrje është një shërbim që ka një komponent të patjetërsueshëm patriotik dhe unë besoj se këtu në Vlorë dhe në shkollën industriale “Pavarësia” ne i kemi burimet njerëzore me të cilat do të fillojë puna.
Kompania “Fincantieri” do të organizojë programin e vetë të trajnimeve në burim. Pra, nxënësit e shkollës sipas programit dhe përzgjedhjes do të shkojnë në kantierin e madh në Itali dhe aty do të punojnë me mjeshtrit që ka kompania, të cilën e tha shumë bukur se po i referohem disa herë administratorit, një kompani që ka një xhiro prej 9 miliardë eurosh, por që asetin e vet kryesor ka njerëzit, ka kapacitetet, talentet, aftësitë, për të cilat ka investuar dhe investon në vazhdimësi.
Dhe ky është një lajm shumë i mirë për nxënësit, ky është një lajm i mirë për mësuesit, patjetër! Është një lajm i mirë për Vlorën dhe për arsimin tonë profesional.
Këto investime të mëdha që vijnë janë investime që kanë ndër të tjera edhe këtë komponent shumë të rëndësishëm. Dhe të gjithë atyre që flasin në hava për investitorët e huaj, për investimet e huaja, për partneritet me të huajt që ju merrkan punën shqiptarëve, dua t’ju them që jo, e vërteta është e kundërt.
Në radhë të parë këto investime vijnë për shqiptarët, vijnë për ata të cilët duan punë, duan të jetojnë me punë, janë të gatshëm të sakrifikojnë në punë dhe përmes punës të rriten dhe të ngjisin shkallët e një karriere profesionale, që sa më lart ngjitesh aq më mirë të paguan. Dhe kjo është e vërtetë për këtë investim, kjo është e vërtetë për çdo investim, kjo është e vërtetë dhe për të gjitha investimet në turizëm, se nuk dua t’i shmangem pamjes së jashtëzakonshme të gjirit të Vlorës pa e përmendur edhe faktin që investimi për të cilin bëhet një diskutim marramendës dhe absurd sjell, jo 500 si këtu, por 10.000 mundësi të reja vendesh pune dhe natyrisht sjell 10.000 mundësi të reja vendesh pune për në radhë të parë djemtë dhe vajzat e kësaj zone dhe pastaj djemtë dhe vajzat nga gjithë Shqipëria që do të duan të bëhen pjesë. Dhe nuk sjell vende pune të keqpaguara, nuk sjell vende pune për të shfrytëzuar koston e ulët të krahut të punës, por sjell vende pune për njerëz të kualifikuar.
Siç e përmendi administratori, të gjitha profesionet që lidhen me këtë kantier janë profesione specifike, ku kërkohet një kualifikim shumë i mirë.
E njëjta gjë vlen për investimet në turizëm, kur ato i përkasin gamës së lartë të konsumatorit. Dhe nëse sot industria turistike në Shqipëri apo çdo industri tjetër ndjehet e detyruar të kthejë sytë e të kërkojë përtej kufijve të Europës edhe në kontinente të tjera, forca pune, kjo nuk vjen absolutisht sepse duan të paguajnë keq. Kjo vjen sepse pagat, njësoj si në Greqi, shumëkujt këtu në Shqipëri i duken jo dinjitoze.
Kjo vjen sepse shumëkush që ikën nga Shqipëria dhe shkon në Greqi apo shkon në Itali apo shkon kudoqoftë tjetër dhe është i gatshëm të bëjë punë heroike për një pagë që në fund të muajit rezulton pothuajse, pothuajse e tretur nga shpenzimet, kur vjen puna këtu në atdhe e shikon ndryshe, e kërkon ndryshe, e pretendon ndryshe dhe ky nuk është vetëm një problem i yni.Ky është një problem i të gjitha vendeve rreth e rrotull të Mesdheut në momentet kur vendet janë rritur dhe pretendimet janë rritur. Ky është një problem që e kanë fqinjët tanë në jug. Ky është një problem që e kanë të tjerët më në veri, në perëndim, por ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos që investimet të shtohen, sepse duam ta rrisim ekonominë tonë.
Kemi nisur me një ekonomi që figuronte në të gjithë totalitetin e vet nën 10 miliardë euro.
Sot jemi mbi 27 miliardë. Duam të shkojmë 35 miliardë.
Dhe 35 miliardë nuk shkohet në mënyra të tjera, përveçse përmes rritjes së investimeve. Dhe të gjitha vendet dhe të gjitha shtetet një nga garat kryesore që kanë me njëri-tjetrin është gara e tërheqjes së Investime të huaja. Kush tërheq më shumë investime të huaja? Të gjithë. Qofshin demokraci, qofshin vend mbretëri, janë të tëra vende që luftojnë për tërhequr investimet tuaja.
Pra, ideja që investimet e huaja i bie ndesh atdheut është ideja më e marrë që mund të promovohet dhe të cilës i duhet qëndruar vendosmërisht me kurriz.
Ju falënderoj të gjithëve edhe një herë dhe ne do të nisim shumë shpejt punën bashkërisht me midis kompanisë së re që është një kompani që lind nga partneriteti i “Fincantier”-i me Kajon dhe shkollës dhe të gjithë nxënësit e interesuar, ju që jeni këtu, të tjerë që s’janë këtu, por dhe të tjerë që mund ta ndjekin këtë bisedë apo mund ta ndjekin këtë proces dhe janë të interesuar, janë të ftuar që të bëhen pjesë e testimeve që do të bëjnë inxhinierët dhe ustallarët e kompanisë për të marrë dhe përzgjedhur grupin e parë të nxënësve dhe nxënëseve që pastaj do të shkojnë dhe do të trajnohen në Itali.
Shumë faleminderit të gjithëve!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.