FOKUS – Zjarret shkrumbojnë jugperëndimin e Francës, evakuohen mijëra banorë dhe turistë
– Rreth 20 mijë banorë janë evakuuar ose po evakuohen nga rajoni i Gironde, në jugperëndim të Francës, për shkak të zjarreve të mëdha që po përhapen me shpejtësi në zonën e Gjirit të Arcachon, sipas BBC.
Sipas autoriteteve, 12 mijë persona janë evakuuar, ndërsa 8 800 të tjerë po largohen nga zonat e rrezikuara si masë parandaluese.
Shumica e të evakuuarve janë turistë që qëndronin në kampe pushimi në gadishullin Lège-Cap-Ferret.
Deri tani, flakët kanë përfshirë rreth 3,100 hektarë tokë.
Autoritetet konfirmuan se nuk ka të plagosur, por disa rrugë dhe zona pyjore janë mbyllur për arsye sigurie.
Shefi i zjarrfikësve në Gironde, Marc Vermeulen, paralajmëroi se situata mbetet kritike për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, të cilat e bëjnë zjarrin të vështirë për t’u parashikuar dhe kontrolluar.
Më herët gjatë kësaj jave, dy zjarrfikës humbën jetën gjatë shuarjes së një zjarri tjetër pranë aeroportit të Bordeaux.
Zjarret po godasin edhe vende të tjera të Evropës.
Në Siçili, Itali janë regjistruar mbi 350 zjarre, përfshirë 10 të mëdha, që kanë detyruar evakuime. Një zjarrfikës humbi jetën gjatë operacionit të shuarjes së flakëve.
Në Spanjë, banorët pranë Toledos kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre, megjithëse zjarri nuk është ende nën kontroll. Deri tani janë djegur rreth 890 hektarë tokë, ndërsa në rajonin e Guadalajara, zjarri më i madh i vitit ka shkrumbuar mbi 35 mijë hektarë tokë.
Sipas shërbimit evropian, Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut, Evropa mbetet kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë.
Raporti i publikuar në prill, thekson se 95% e kontinentit regjistroi temperatura mbi mesataren gjatë vitit 2025, ndërsa sipërfaqet e djegura nga zjarret dhe emetimet e tyre arritën nivele rekord. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.