Fondi PIO për ‘Euro modelin’: Mbështet rritjen e të ardhurave, por qëndrimin do ta japë pas analizës
Fondi i sigurimeve pensionale nuk ka marrë pjesë në hartimin e programit qeveritar dhe i duhet kohë për t'u njohur me detajet; vlerëson pozitivisht nismat për rritjen e standardit, veçanërisht për pensionistët.
Fondi i Sigurimeve Pensional dhe Invalidor të Malit të Zi (Fond PIO) është shprehur publikisht në lidhje me programin reformues qeveritar “Euro model”. Në njoftimin e tij, institucioni sqaron se nuk ka marrë pjesë në hartimin e programit, prandaj i nevojitet kohë shtesë për t’u njohur në detaje me modelin e propozuar dhe me ndryshimet normative që ai parashikon. Vetëm pas përfundimit të kësaj analize, Fondi do të japë qëndrimin dhe kontributin e vet.
Në njoftim theksohet se Fondi vlerëson “jashtëzakonisht pozitivisht” çdo nismë dhe masë që synon përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve, e veçanërisht të pensionistëve. “Rritja e të ardhurave dhe forcimi i gjendjes materiale të kategorive më të rrezikuara të shoqërisë është qëllim rreth të cilit ekziston konsensus i plotë institucional”, citohet në njoftim.
Në të njëjtën kohë, Fondi kujton se hartimi i politikës ekonomike është kompetencë e Qeverisë dhe ministrive përkatëse. Roli i Fondit PIO, sipas njoftimit, është zbatimi i akteve ligjore të miratuara dhe garantimi i rregullsisë e sigurisë së pagesave për të gjithë përfituesit.
Sipas raportimeve të deritanishme, “Euro modeli” parashikon që nga janari 2027 paga minimale në Mal të Zi të arrijë në 1.000 euro për arsimin bazë, 1.250 euro për arsimin e mesëm dhe 1.400 euro për arsimin e lartë. Pensionet pritet të përshtaten katër herë në vit duke nisur nga viti 2027, pensioni mesatar të kalojë 600 euro, ndërsa të gjithë pensionistët do të marrin një ndihmë njëherëshe prej 100 eurosh në dhjetor. Edhe ministri i Financave, Novica Vukoviq, ka deklaruar se i nevojitet më shumë kohë për të analizuar modelin.
Burimi: RTCG



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.