HAGË – Kryeprokurorja West: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i rëndësishëm për drejtësinë ndaj viktimave
– Kryeprokurorja e Prokurorisë së Specializuar të Kosovës, Kimberly West, e ka mirëpritur aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte, të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe në Shqipëri në vitet 1998-1999.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
Gjykata i shpalli ata fajtorë për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të personave që konsideroheshin kundërshtarë nga UÇK-ja.
Në një deklaratë me shkrim, West tha se aktgjykimi është i rëndësishëm për shtetin e së drejtës në Kosovë dhe për drejtësinë për viktimat.
“Vendimi i sotëm, i bazuar vetëm në fakte dhe në ligj, është i rëndësishëm për përgjegjësinë dhe shtetin e së drejtës në Kosovë”, deklaroi West.
Ajo theksoi se vendimi konfirmon se askush, pavarësisht gradës apo pozitës politike, nuk është mbi ligjin dhe nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë për krime të rënda ndërkombëtare.
Kryeprokurorja nënvizoi gjithashtu se procesi gjyqësor kishte të bënte me përgjegjësinë penale individuale dhe nuk vë në pikëpyetje narrativat historike.
Sipas saj, Prokuroria ka mbajtur përgjegjës individët për veprimet e tyre dhe nuk ka gjykuar UÇK-në apo luftën për pavarësinë e Kosovës.
West tha se katër të akuzuarit “shfrytëzuan rrethanat e luftës për të kryer krime të rënda”.
Prokuroria, sipas saj, do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin në ditët në vijim, përfshirë edhe gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit, për të cilat katër të akuzuarit nuk u shpallën fajtorë.
Kryeprokurorja deklaroi se Prokuroria do të vazhdojë të punojë për vendosjen e përgjegjësisë për krimet dhe për mbështetjen e të drejtave të viktimave, në fazat e mëtejshme të procesit gjyqësor, përfshirë edhe procedurat e apelit. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.