Hapet procedura për përzgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë, kriteret dhe afatet për kandidatët! Ja si do z
Gjykata e Lartë ka hapur zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri, i cili do të marrë drejtimin e institucionit pas përfundimit të mandatit trevjeçar të Sokol Sadushit.
Sadushi u zgjodh në krye të Gjykatës së Lartë më 17 tetor 2023 dhe mandati i tij përfundon më 17 tetor 2026. Në përputhje me parashikimet ligjore, procedura për zgjedhjen e pasuesit është çelur 60 ditë përpara përfundimit të mandatit.
Gjykata e Lartë u ka bërë thirrje gjyqtarëve që plotësojnë kriteret ligjore dhe që dëshirojnë të marrin përsipër drejtimin e institucionit, të shprehin interesin për kandidim.
Kandidaturat duhet të dorëzohen deri më 11 shtator 2026. Përveç kërkesës me shkrim, kandidatët duhet të paraqesin edhe platformën e tyre për mënyrën se si synojnë të drejtojnë Gjykatën e Lartë.
Pas përfundimit të fazës së kandidimeve, procesi do të vijojë sipas rregullave të miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në vitin 2023. Kryetari i ri do të zgjidhet nga Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, përmes votimit të fshehtë dhe mes anëtarëve të kësaj gjykate.
Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve përcakton se kryetari i Gjykatës së Lartë zgjidhet për një mandat trevjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Kryetari i ri pritet të nisë detyrën më 18 tetor 2026, një ditë pas përfundimit të mandatit të Sadushit, duke garantuar vijimësinë e drejtimit të institucionit pa një periudhë vakance.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.