Helmimi i 60 studentëve në Akademinë e Sigurisë, policia: Është ngritur grupi hetimor, pritet përgjigjja e analizave
Një grup prej 60 kursantësh të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë janë dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së gjatë orëve të fundit, pasi kanë shfaqur simptoma të rënda helmimi si temperaturë dhe diarre.
Sipas raportimit të policisë, 31 prej tyre u trajtuan gjatë natës dhe janë rikthyer në akademi në gjendje të stabilizuar, ndërsa mëngjesin e sotëm janë paraqitur edhe 29 raste të tjera me të njëjtat shqetësime.
Mësohet se, për këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar dhe ka marrë mostrat e ushqimeve të konsumuara për t’i nënshtruar analizave laboratorike me qëllim zbardhjen e plotë të shkaqeve.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.
Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.