HUNGARI – Kallëzim penal ndaj ish- ministrit të Orbanit, 10,9 milionë euro për udhëtime me avionë privatë
– Ministrja e Jashtme e Hungarisë, Anita Orbán ka bërë kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Jashtëm Péter Szijjártó dhe ekipit të tij, duke i akuzuar për përdorim të shpeshtë të avionëve privatë dhe avionëve ushtarakë për udhëtime zyrtare gjatë viteve 2022–2026, sipas “Reuters”.
Sipas ministres, një kontroll i brendshëm në Ministrinë e Jashtme ka ngritur dyshime se udhëtimet me avionë privatë, janë përdorur në mënyrë të pajustifikuar, në vend të fluturimeve të zakonshme komerciale.
Anita Orbán tha se dokumentet e shqyrtuara tregojnë se, që nga viti 2022, për udhëtimet e Szijjártós dhe delegacioneve të tij janë përdorur rregullisht, avionë të marrë me qira dhe avionë të ushtrisë.
Sipas saj, këto udhëtime kanë kushtuar mesatarisht gati gjashtë herë më shumë sesa do të kushtonin biletat e klasës së biznesit në fluturimet normale.
Diferenca e llogaritur për periudhën 2022–2026 është rreth 4 miliardë forinta hungareze, ose rreth 10,9 milionë euro.
Ministrja tha gjithashtu se gjatë kontrollit nuk u gjetën prova, se para udhëtimeve ishte shqyrtuar mundësia e përdorimit të alternativave më të lira.
Për këtë arsye, Anita Orbán tha se faktet e zbuluara ngrenë dyshime për keqadministrim të fondeve publike, që mund të ketë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar, si dhe për përgjegjësinë e drejtuesve të mëparshëm të ministrisë.
Çfarë thotë kampi i Viktor Orbán?
Viktor Orbán i ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion.
Zëdhënësi i tij, Bertalan Havasi tha se udhëtimet e Szijjártós, ishin kryer në përputhje me rregullat dhe dekretet qeveritare.
Ai mbrojti mënyrën e organizimit të udhëtimeve, duke thënë se aktivitetet ndërkombëtare të ministrisë, ishin organizuar me efikasitet dhe se Szijjártó meritonte vlerësim, jo sulme politike.
Pse është bërë tani ky kallëzim?
Kallëzimi është pjesë e një serie kontrollesh dhe hetimesh, të ndërmarra nga qeveria e re e kryeministrit Péter Magyar, e cila mori pushtetin pas zgjedhjeve të prillit 2026, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán.
Qeveria e re e ka paraqitur këtë proces si pjesë të përpjekjeve të saj kundër korrupsionit dhe keqadministrimit të fondeve publike. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.