Irani përdori Starlink-un e Musk-ut në sulmet ndaj forcave amerikane, zbulon Washington Post
Irani i përdori shërbimet e internetit satelitor Starlink të kompanisë SpaceX në sulmet ndaj forcave amerikane pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën goditjet ndaj Iranit, zbulon një raportim i ri i Washington Post, të cituar të shtunën nga Reuters.
Sipas raportimit, një ekip që punon me pronarin e SpaceX-it, Elon Musk, arriti në përfundimin se Teherani i kishte përdorur shërbimet në mënyrë të paautorizuar në dy raste që lidheshin me përpjekjet e Iranit kundër forcave amerikane. Musk, siç njofton Al Jazeera duke iu referuar të njëjtit raportim, mësoi për këto përdorime në fillim të marsit dhe u zemërua nga lajmi, thanë dy persona të njohur me diskutimet e brendshme të kompanisë.
Një raport i klasifikuar, i paraqitur sekretarit amerikan të Mbrojtjes Pete Hegseth, përshkruante se si ushtria iraniane e përdori Starlink-un si mënyrë alternative komunikimi pasi SHBA-ja goditi sistemet e saj tradicionale të komunikimit, dhe se shërbimi u përdor edhe për të mbikëqyrur operacionet me dronë sulmues. Departamenti amerikan i Mbrojtjes i tha Reuters-it se “nuk është në dijeni” të raportit për sekretarin e Mbrojtjes për këtë çështje, ndërsa SpaceX nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Raportimi zbulon edhe anën tjetër të medaljes: Musk u informua se ushtria amerikane vetë i kishte fluturuar dronët njëpërdorimësh me versionin e militarizuar të Starlink-ut, të quajtur Starshield, por me një plan më të lirë të destinuar për operacione tokësore. Pas këtyre zbulimeve, SpaceX vendosi kufizime të reja në shitjet e Starlink-ut dhe pezulloi programin e rishitësve indirektë.
Starlink nuk është i licencuar për të operuar në Iran, por Musk ka thënë më parë se shërbimi është aktiv atje. Qeveria amerikane, sipas Wall Street Journal, kontrabandoi mijëra terminale Starlink në Iran pas protestave vdekjeprurëse të janarit, ndërsa autoritetet iraniane e kanë mbajtur nën kontroll të rreptë qasjen e publikut në internet që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.