KIEV – Zelensky: Ukraina drejt ndërtimit të sistemit të saj mbrojtës kundër raketave
– Ukraina po përparon në ndërtimin e sistemit të saj të mbrojtjes kundër raketave balistike, deklaroi sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa vendi vijon të përballet çdo ditë me sulme ajrore ruse.
“Ne mund të konfirmojmë se prodhuesit tanë të armëve kanë arritur tashmë standardin e kërkuar”, shkroi Zelensky në Telegram pas një takimi me ekspertë të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Presim që Ukraina të arrijë rezultatet e dëshiruara gjatë periudhës 2026-2027”, shtoi ai.
Kievi po mbështetet te sistemi i ri FREYJA, i cili synon të jetë një alternativë më ekonomike dhe me performancë të lartë ndaj sistemit amerikan “Patriot”, të furnizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Megjithatë, vendi mbetet ende shumë i ekspozuar ndaj sulmeve, për shkak të mungesës së raketave përgjuese të nevojshme për mbrojtjen ajrore.
Zelensky u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve të dorëzojnë nga rezervat e tyre, raketa përgjuese, ndërsa Ukraina po punon për ndërtimin e sistemit të saj të mbrojtjes. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.