KOMENT – BE përballet me krizë të re migracioni, mijëra hynë në enklavën spanjolle të Ceutas
BRUKSEL, 31 korrik /ATSH-AFP/ – Kriza e re migratore në enklavën spanjolle të Ceutës po konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur Bashkimi Evropian në vitet e fundit.
Brenda vetëm pak ditësh, rreth 60 mijë emigrantë kaluan nga Maroku në enklavë. në Afrikën e Veriut, duke krijuar një situatë emergjente humanitare dhe sigurie.
Sipas autoriteteve lokale, shumë prej tyre notuan rreth barrierës kufitare që hyn në Detin Mesdhe, ndërsa të paktën 34 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për të arritur në territorin spanjoll.
Qeveria e Spanjës reagoi menjëherë duke dërguar në Ceutë trupa ushtarake, forca shtesë policie, zhytës, dronë dhe mjete patrullimi detar për të kontrolluar situatën.
Kryeministri Pedro Sanchez dhe ministri i Brendshëm vizituan personalisht enklavën, ndërsa autoritetet njoftuan se rreth 25 mijë emigrantë janë kthyer vullnetarisht në Marok.
Megjithatë, qindra të tjerë vazhdojnë të mbërrijnë ose të qëndrojnë pranë kufirit, duke ushtruar presion mbi kapacitetet e pritjes dhe menaxhimit të autoriteteve spanjolle.
Sipas kryeministrit Sanchez, fluksi i pazakontë u nxit nga rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat përhapën informacione të rreme lidhur me një vendim të fundit të Gjykatës së Lartë të Spanjës.
Trafikantët pretenduan se emigrantët që mbërrijnë nga deti nuk mund të kthehen menjëherë, duke krijuar përshtypjen se hyrja në Spanjë ishte bërë më e lehtë.
Qeveria spanjolle theksoi se këto pretendime ishin keqinterpretime të qëllimshme dhe u bënë thirrje autoriteteve marokene të bashkëpunojnë për të frenuar aktivitetin e grupeve kriminale.
Kriza ka shkaktuar reagime të forta politike në Evropë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se kufijtë e Bashkimit Evropian duhet të mbrohen dhe se hyrja në territorin e unionit duhet të bëhet vetëm sipas rregullave.
Italia kërkoi pezullimin e Spanjës nga zona Schengen, ndërsa Finlanda dhe Danimarka mbështetën këtë propozim.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje Marokut të marrë menjëherë mbrapsht emigrantët e paligjshëm, ndërsa Franca njoftoi forcimin e kontrolleve në kufirin me Spanjën, edhe pse ofroi ndihmë për menaxhimin e situatës.
Ceuta dhe Melilla janë të vetmet kufij tokësorë të Bashkimit Europian me Afrikën dhe prej vitesh përbëjnë pika të ndjeshme të migracionit të parregullt.
Një krizë e ngjashme ndodhi edhe në vitin 2021, kur mbi 10 mijë persona hynë në Ceutë gjatë një mosmarrëveshjeje diplomatike mes Spanjës dhe Marokut.
Analistët paralajmërojnë se ngjarjet e fundit tregojnë se presioni migrator ndaj Evropës mbetet i lartë dhe se, pa një bashkëpunim më të ngushtë me vendet e Afrikës së Veriut dhe një politikë të përbashkët evropiane për migracionin, situata të tilla mund të përsëriten edhe në të ardhmen./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.