KOMENT – Zjarret në Evropën Jugore provokojnë evakuimin e mijëra personave
PARIS, 23 korrik /ATSH-AFP/ – Zjarre të fuqishme pyjore, të ushqyera nga erërat e forta dhe temperaturat shumë të larta, po përfshijnë disa rajone të Evropës Jugore, në Itali, Spanjë dhe Francë, ku mijëra njerëz u evakuuan sot nga një zonë turistike.
Tre zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit. dy në Francë dhe një në Itali. duke shkaktuar tronditje dhe pikëllim të madh.
Rreth një muaj e gjysmë para përfundimit të verës meteorologjike, viti 2026 renditet aktualisht i dyti për sipërfaqet e djegura në Bashkimin Evropian gjatë 20 viteve të fundit, sipas të dhënave satelitore të sistemit evropian Effis.
Megjithatë, situata është më e rëndë në Francë, ndërsa Spanja dhe Italia po përjetojnë gjithashtu një nga vitet më të këqija për sa i përket zjarreve.
Pyjet po marrin flakë më lehtë, pasi bimësia dhe toka janë jashtëzakonisht të thata prej muajsh. Kjo thatësirë është përkeqësuar nga valët e jashtëzakonshme të të nxehtit që kanë përfshirë kontinentin gjatë muajve qershor dhe korrik.
Sipas një studimi të publikuar sot nga grupi i klimatologëve World Weather Attribution, ndryshimet klimatike, të shkaktuara kryesisht nga djegia e vazhdueshme e naftës, qymyrit dhe gazit, janë arsyeja që thatësira aktuale është bërë më e ashpër.
Francë – Mijëra të evakuuar
Në jug të Francës, zjarrfikësit po luftojnë me dy zjarre të mëdha.
I pari, në jugperëndim të vendit, kishte përshkuar të enjten rreth 2 400 hektarë, sipas vlerësimit më të fundit. Ai ndodhet në veri të pellgut të Arcachon-it, në departamentin Gironde, një zonë shumë turistike pranë Bordosë.
Deri tani nuk është raportuar asnjë viktimë dhe asnjë banesë e djegur, por autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet “e pafavorshme” për ekipet e zjarrfikësve. Sipas disa burimeve, zjarri dyshohet të ketë nisur gjatë punimeve për pastrimin e bimësisë përgjatë një rruge pyjore.
Sipas prefekturës së Gironde, të paktën 7 000 persona u evakuuan në mënyrë parandaluese të enjten, duke e çuar në 12 000 numrin e turistëve dhe banorëve që janë detyruar të largohen nga gjashtë kampe pushimi dhe një kompleks rezidencial naturist në veri të Kepit Ferret.
Zjarri i dytë, i cili shpërtheu të martën në mesditë në një arë, po përhapet në departamentin Var, në juglindje të Francës. Ai ka djegur afro 2 500 hektarë dhe, sipas prefektit Simon Fabre, “mbetet i stabilizuar”. Ai lejoi sot në mëngjes rreth 400 persona të evakuuar të kthehen në shtëpitë e tyre.
“Dita mbetet me rrezik të lartë, pasi priten temperatura deri në 45 gradë Celsius në zonat e brendshme dhe mbi të gjitha erëra të forta mistral, me shpejtësi deri në 60 kilometra në orë”, paralajmëroi togeri Franck Graciano nga Shërbimi Departamental i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (Sdis) i Var-it.
Sa i përket mjeteve në dispozicion, zëdhënësja e qeverisë franceze njoftoi të enjten se avioni ushtarak transportues Airbus A400M, me kapacitet të barabartë me tre avionë “Canadair”, do të vihet në përdorim deri në fund të korrikut, pasi të përshtatet për hedhjen e ujit ose të lëndëve ngadalësuese të zjarrit.
Sipas ministrit francez të Brendshëm, Laurent Nuñez, që nga fillimi i vitit janë regjistruar mbi 125 000 vatra zjarri, ndërsa janë djegur tashmë 44 000 hektarë, më shumë se gjatë gjithë vitit 2022.
Ai i bëri këto deklarata nga një kazermë zjarrfikësish në Bordo, pasi takoi familjet e dy zjarrfikësve që humbën jetën të martën gjatë ndërhyrjes pranë aeroportit të qytetit.
Itali – Mbi 40 gradë Celsius
Një zjarrfikës humbi jetën dje gjatë përpjekjeve për të shuar flakët në jug të Italisë, ku dhjetëra zjarre pyjore dhe të bimësisë po përfshijnë Sicilinë, të nxitura nga erërat e nxehta, njoftoi ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi.
Rreth 100 banorë dhe 22 pacientë të një klinike në qendër të ishullit u evakuuan dje. Sipas zjarrfikësve, gjatë ditëve të fundit temperaturat në Sicili kanë kaluar 40 gradë Celsius.
“Gjashtë mijë efektivë janë të angazhuar dhe 20 mjete ajrore janë në operacion”, deklaroi dje në mbrëmje presidenti i rajonit, Renato Schifani, duke sqaruar se rreth 50 zjarre, nga 344 vazhdojnë ende të jenë aktive.
Ndërkohë, më shumë se 160 zjarre janë regjistruar edhe gjatë 24 orëve të fundit në Kalabri, rajoni fqinj.
Spanjë – Përmirësim i situatës, por rreziku mbetet
Në Spanjë, shumica e banorëve të evakuuar të mërkurën në mbrëmje, pas shpërthimit të një zjarri rreth 70 kilometra në jugperëndim të qendrës së Madridit, kanë marrë leje të kthehen në shtëpitë e tyre, njoftuan sot shërbimet e emergjencës.
Autoritetet e vlerësuan zhvillimin e situatës si “shumë pozitiv”, megjithëse zjarri ende nuk ishte vendosur plotësisht nën kontroll në orët e para të mëngjesit. Disa akse rrugore vazhdojnë të mbeten të mbyllura.
Zjarri më i madh pyjor në Spanjë ndodhet në anën tjetër të Madridit, në provincën Guadalajara, rreth 100 kilometra në veri të kryeqytetit, ku që nga e enjtja e kaluar janë djegur 32 000 hektarë.
“Ka zona me vlerë shumë të madhe ekologjike, me pemë që nuk do t’i shohim më këtu për të paktën 50 vjet”, tha me keqardhje Mara Mora, 51 vjeçe, një zjarrfikëse që ka qenë e angazhuar për disa ditë në shuarjen e flakëve.
Javën e kaluar një tjetër zjarr i madh shkatërroi rreth 15 000 hektarë në provincën Zaragoza, në verilindje të Spanjës. Ndërsa disa ditë më parë, një tjetër zjarr në provincën Almeria, në juglindje të vendit, shkaktoi 13 viktima.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.