Komisioni i Jashtëm shqyrton integrimin në BE, raportojnë negociatorët për pesë kapituj, diskutimet për marrëdhëniet me jashtë zhvillohen me dyer të mbyllura
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën drejtimin e kryetarit Igli Hasani, ka zhvilluar një mbledhje ku u mbajtën seanca dëgjimore me negociatorët përgjegjës mbi ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Diskutimet u përqendruan në pesë kapituj specifikë: Kapitulli 22, Kapitulli 5, Kapitulli 18, Kapitullin 31 dhe Kapitullin 30.
Për këtë të fundit, që trajton Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me jashtë”, komisioni vendosi që dëgjesa të zhvillohej plotësisht me dyer të mbyllura, për shkak të konfidencialitetit të informacionit të trajtuar.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në cilësinë e negociatorit përgjegjës, paraqiti ecurinë për Kapitullin 22 “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore”. Ai sqaroi se ky kapitull ka një natyrë të veçantë në krahasim me të tjerët:
“Ndryshe nga kapitujt e tjerë të përafrimit me BE-në, Kapitulli 22 nuk kërkon transpozimin e një legjislacioni specifik evropian, bllok por ndërtimin e kapaciteteve institucionale, administrative dhe financiare për menaxhimin efektiv të fondeve të BE-së.”
Për përmbushjen e këtij kapitulli janë përcaktuar gjashtë piketa kryesore, ku përfshihet sigurimi i bazës ligjore sipas Kodit Evropian të Sjelljes për Partneritetin dhe ngritja e një strukture të plotë institucionale për monitorimin dhe kontrollin e fondeve të kohezionit. Për këtë qëllim, është ngritur grupi ndërinstitucional i punës dhe është hartuar plani përkatës i veprimit, ku bashkëpunojnë Ministria e Financave, SASPAC dhe zyra e Kryenegociatorit.
Mbi ecurinë e Kapitullit 5 “Prokurimi publik”, raportoi Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta. Ajo nënvizoi se puna po vijon për përmbushjen e tre piketave kryesore që lidhen me përafrimin ligjor dhe forcimin e kapaciteteve. Shqipëria synon të përafrojë plotësisht kuadrin e saj ligjor kombëtar me acquis të BE në të gjitha fushat e prokurimit.
Lidhur me Kapitullin 18 “Statistikat”, Drejtorja e Përgjithshme e INSTAT, Lantona Sado, bëri me dije se po bashkëpunohet ngushtë me dy institucione të tjera kyçe: Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë; forcimi i kuadrit ligjor, metodologjik dhe institucional në fushën e statistikave makroekonomike.
Në seancën dëgjimore për Kapitullin 31 “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”, raportoi zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino. Sipas saj, vendi ka treguar një angazhim solid në këtë drejtim strategjik të integrimit.
“Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitje për këtë Kapitull dhe ka ruajtur përafrim të plotë me politikën e jashtme dhe masat kufizuese të BE, ndërkohë ka rëndësi strategjike për procesin e integrimit.”, theksoi Fino.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.