Kontrabanda e produkteve të duhanit, eksperti: Është në nivele alarmante
Kontrabanda e produkteve të duhanit në Shqipëri është në nivele shqetësuese. Roland Shuperka, ekspert për çështjet e duhanit dhe alkoolit, thotë se në vendin tonë prodhohen rreth 2500 ton duhan në vit, por vetëm gjysma e tij taksohet, pjesa tjetër kalon në tregun e zi.
Sa i takon produkteve të duhanit që importohen, ai bën me dije se kontrabanda e cigareve është përtej nivelit 15% që pranon qeveria.
“Studimet tona e tregojnë që kontrabanda është 25-30% dhe në këtë drejtim, në rast se në 2025, u zhdoganuan 3740 ton, por është shumë larg konsumit të duhanit, presupozohet që duhet të jemi rreth 5500 ton produkte të duhanit që konsumohen në vendin tonë, duke llogaritur që 700-800 ton që marrin turistet e huaj me vete”, është shprehur Roland Shuperka, ekspert për çështjet e duhanit dhe alkoolit.
Në një kohë kur pritet që rritja e çmimeve të produkteve të duhanit të ul nivelin e konsumit, kontrabanda është ajo që po bën të kundërtën.
“Janë rritur 3 herë taksat e duhanit, rreth 70% në çmimin e një pakete janë taksat e duhanit… Në tregun vendas ekziston tregtia e paligjshme, ti rriti çmimet, ti rriti taksat, takson vetëm tregtinë e ligjshme, ndërsa tregtia e paligjshme po bën kërdinë”, ka theksuar ai.
Ky fenomen nuk dëmton vetëm klimën e biznesit, por edhe rrit pasigurinë për konsumatorët, pasi shpesh prodhohen jashtë çdo standardi dhe kontrolli.
“Kontrabanda është rritur sidomos për produktet e reja të duhanit, tregu europian është invaduar nga produktet kineze dhe 6,7 miliardë llogaritet brenda vitit që kanë hyrë produkte të paligjshme të duhanit, deri në 2030 parashikohet të shkojë në 10.8 miliardë euro nga tregtia e paligjshme”, ka vijuar më tej ai.
Sipas vlerësimeve të Forumit Ekonomik të Davosit, cigaret konsiderohen ndër mallrat më të kontrabanduara, duke bërë që qeveritë në mbarë botën të humbasin çdo vit 40 deri në 50 miliardë dollarë të ardhura nga taksat. Përballë kësaj situate, ekspertët kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim inteligjence, përdorim të teknologjive të gjurmueshmërisë së mallrave, kontrolle më efikase në kufi dhe masa ligjore që e bëjnë koston e aktivitetit kriminal më të lartë se përfitimi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.