Politika

Kosovë-Shqipëri, me politikë të jashtme të përbashkët

10 vjetori i Pavarësisë, seanca solemne e Kuvendit çelet me Himnin Kombëtar-

Himni kombëtar çeli punimet e seancës solemne plenare të Kuvendit të Kosovës, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë, ku morën pjesë personalitete të larta nga e gjithë bota.

“20 vjet më parë shumë pak ishin ata që besonin se ne mund të arrinim lirinë. 10 vjet më par ishin pak ata që besonin se mund të bënim shtet. Por ne, ia dolëm sepse e dinim çfarë donim dhe zgjodhëm miq të mirë”, tha në fjalën e hapjes, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Të rënët për liri, nënvizoi ai, mbesin shenjat më sublime të përgjegjësisë sonë për shtetin.

“Kemi ndërtuar një shtet demokratik e funksional dhe sot Kosova është një shtëpi e sigurt për qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve që ata kanë”, shtoi më tej, Veseli.
Duke u ndalur në marrëdhëniet me fqinjët, Veseli vuri në dukje se mes konfliktit e dialogut me Serbinë, Kemi zgjedhur dialogun si rrugë pajtimi e respektimi të ndërjsetllë, si dy shtete të pavarur dhe sovranë.

“Orientimi i shtetit tonë është perëndimor. Jemi të vetëdijshëm se na mbetet edhe shumë për të bërë”, theksoi Veseli.

Në dekadën e dytë, sipas Veselit, na duhet më shumë punë. Sfida e rimëkëmbjes ekonomike është më e lehtë se ajo e lirisë.

Mes pjesëmarrësve është edhe kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili ka sot ditëlindjen, në ditën kur para 10 viteve SHBA-të e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në orët e para pas shpalljes.

“Gëzuar 10 vjetorin Kosovë”, tha kongresmeni Elliot Engel në mesazhin e drejtuar qytetarëve kosovarë nga Kuvendi i Kosovës. 10 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, tha ai, shumë gjëra janë bërë, por mbeten ende shumë për të bërë.

Rama: Shqipëria e Kosova, një President, simbol të unitetit kombëtar

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës,tha se sot dhe një dekadë më parë, pas një rrugëtimi shekullor të mbushur me histori, ngjarje e rrëfime të pabesueshme, qëndrese dhe sakrificash, ëndrra e ideale të pamposhtura të njerëzve për lirinë e tyre, Kosova realizoi një aspiratë të madhe historike, duke u vendosur, si shteti më i ri në hartën politike të globit.

Ajo sot, tha Rama, numëron më tepër se 115 njohje ndërkombëtare dhe ka shënuar një progres të konsiderueshëm në konsolidimin e sovranitetit të saj, fuqizimin e institucioneve dhe shtetit demokratik.

“Nga qëndresa e brezave që kaluan, nëpër mbretërinë e parë jugosllave, te shtypja e viteve të komunizmit e diskriminimi etnik, rezistenca paqësore e civile e fillim viteve ’90 e shfaqja vendimtare e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, në muzgun e fundëm të shekullit të XX, është një histori e re, pesha e së cilës tejkalon mundësitë e gjuhës për t’a pasqyruar atë, në të gjithë përmasat e saj. Prandaj dhe lutem të ma falni shmangien e historisë në këtë fjalë përshëndetëse”, vijoi fjalën kryeministri Rama

Besoj, iu drejtua ai të pranishmëve të shumtë miq të Kosovës,  se jeni të tërë në një mendje me mua, se vetëm dy dekada më parë, kremtimi i pavarësisë së Kosovës, ishte më shumë një utopi, se sa një objektiv i arritshëm, në harkun e gjallesës sonë. “Lëre pastaj, adresimi i Kryeministrit të Shqipërisë në kuvendin e Kosovës, për 10 vjetorin e kësaj pavarësie, që ma ha mendja s’do të ishte i mundur, as përmes fantazisë më pjellore letrare”, shtoi kryeministri.

E gjitha kjo, tha ai, ka ndodhur. Për kryeministrin Rama, kur komformizmi e rënia e idealeve politike dukeshin si fat i pashmangshëm, angazhimi i paepur i njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, heronjve të dalë nga gjiri i këtij populli, e ka bërë të mundur më të pamundurën.

“Kosova dhe Shqipëria sot janë dy realitete formalisht të ndara administrative, por tanimë si pjesë e një rrëfimi të përbashkët historik, i një ndjenje të unifikuar kombëtare dhe një interesi të pandashëm politik. Ato, tashmë jetojnë në një fushë të njëjtë mediatike, në një ndërveprim të natyrshëm ekonomik dhe një bashkëveprim politik e institucional të vazhdueshëm në funksion të përafrimit të pandalshëm të programit kombëtar të së ardhmes”, deklaroi Rama.

Shefi i ekzekutivit, vuri në dukje se mbi pasqyrën e këtij realiteti të sotëm, nuk është e pamundur të parafytyrohet rruga për të ardhur këtu në Prishtinë, 10 vjet nga sot, në kremtimin e 20 vjetorit të ditës së Pavarësisë së Kosovës, pa pikë kufitare në Morinë dhe mijëra dhjetëvjeçarë të sotëm të Shqipërisë dhe Kosovës që në mbrëmjen e asaj dite do të bashkohen në sheshin e Skënderbeut, për të ndjekur një Rita Orë të re.

Puna e nisur me një mbledhje qeveritare të përbashkët, tha ai, dhe e vazhduar me këtë sistem mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, dhe bashkëpunimi në të gjitha rrafshet, do të jetë kurorëzuar me një sistem, jo vetëm të unifikuar arsimor, por edhe të garantuar prej standardeve të jetësuara europiane.

Sipas kryeministrit Rama, lëndimi i rëndë arsimor, qoftë nga pasojat e rënda të komunizmit në Shqipërinë e tranzicionit, qoftë nga pasojat e rënda të izolimit në Kosovë, do të jetë një kujtim i të shkuarës, i cili do ja ketë lënë vendin një gjenerate të re shqiptarësh, të mirë edukuar me dije të barazvlefshme me bashkëmoshatarët e tyre në Europë, ku suksesi shkollor i nxënësve e studentëve tanë nuk do të jetë thjeshtë një arritje individuale, por një ndërmarrje e organizuar kombëtare e shoqërore.

Sistemi doganor, shtoi kryeministri, do të jetë i unifikuar dhe hapësira e përbashkët tregtare dhe ekonomike, do të ketë hyrë në fazën e një lulëzimi të pakthyeshëm, falë edhe një integrimi të suksesshëm rajonal.

“Në këtë hapësirë të integruar, turizmi do të jetë kthyer në një industri të fuqishme të zhvillimit, falë shfrytëzimit të bukurive e pasurive natyrore, si dhe të larmisë të traditës shqiptare, që nga Bjeshkët e Bardha të maleve të Rugovës, në pllajat blu të Ksamilit, falë sigurisht edhe të një infrastrukture moderne të lëvizjes nga cepi i epërm i Kosovës, te cepi i fundit i Shqipërisë”, bëri të ditur ai.

Kryeministri shqiptar në fjalën e tij në ceremoni, u ndal edhe te marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

“Dialogu i vështirë me Serbinë do të jetë edhe ai histori dhe shqiptarët e serbët do të bashkëjetojnë në funksion të së ardhmes, si dy popuj në fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e Bashkimit Europian”, deklaroi Rama.

Më tej, ai foli edhe për të ardhmen e dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada me përfaqësi diplomatike të njëjta. Pse jo një President, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.  Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia për të cilën mora leje që në fillim për të mos folur, sot na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet. E ardhmja ju takon atyre që i paraprijnë asaj dhe e shkuara e 20 viteve të fundit të Kosovës, i ka paraprirë, falë njerëzve të po këtij vendi, një të ardhmeje që në çdo rast, është më e afërt se sa largësia që shohim sot”, deklaroi kryeministri.

Rama risolli për të pranishmit një pasazh nga Eqerem Bej Vlora.

“Teksa shpaloste peripecitë e panumërta pas pavarësisë te kujtimet e tij, Eqerem Bej Vlora shkruante. Tre herë jam gjykuar për shkak të kësaj dashurie tekanjoze për këtë Shqipëri. Një herë prej turqve, sepse e dashuroja atë si shumë, një herë prej rebelëve fanatikë, sepse nuk e urreja dhe tani prej bashkëqytetarëve të mi, sepse nuk e dashuroja aq sa duhet. Më vinte për të qeshur, tani kjo dashuri e marrë mori fund, i thashë vetes. Por ishte e thënë të ndodhte ndryshe”, u shpreh Rama.

Po thuaj një shekull më vonë, shtoi ai, qysh se ky përjetim pati frymëzuar një prej pendëve më të vyera shqiptare, betejat e brendshme, konflikti ndërpartiak i ditës dhe pezmi politik i seancave kuvendore në Shqipëri e Kosovë, ende rëndojnë këmbët tona në vrapimin drejt të ardhmes.

Sidoqoftë, tha Rama, edhe sot, sikurse atëherë duket qartë se është e thënë të bëhet ndryshe. “E nëse sot mundësitë institucionale të dy shteteve tona janë edhe objektivisht më të kufizuara se sa energjitë e talentet e popullit tonë këtej e andej bjeshkëve, Kosova e Shqipëria duhet të mendojnë, jo vetëm për njëra-tjetrën, por edhe nëpërmjet njëra-tjetrës perspektivën e përbashkët. E kësisoj perspektiva e përbashkët do të bëhet e tyrja”, deklaroi Rama.

Dekada e fundit e këtij vendi ku sot kremtojmë jubileun e 10-të të pavarësisë, sipas Ramës, nuk është rast për të romantizuar të shkuarën, por mundësi për të ri menduar të ardhmen.

Përvjetorët e Kosovës ashtu sikurse shqiptarëve në përgjegjësi, tha ai, nuk duhen lënë të shndërrohen në retrospektivë vetëkënaqësie, por duhen kthyer në perspektivë vetëpërsosje .

“Me dëshirën e madhe që në 20 vjetorin e Pavarësisë, unë të jem përsëri këtu, por atëherë thjeshtë si babai i Zahos, me djalin adoleshent që do të vijë të shijojë koncertin e Rita Orës së re, në realitetin e imagjinatës së sotme që sapo përshkrova për Shqipërinë dhe Kosovën dhe me vendosmërinë që si kryeministër i Shqipërisë të bëj gjithçka mundem, ju uroj të gjithëve gëzuar festën”, përcolli Rama mesazhin e tij të urimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button