Kuvend/ Taulant Balla reagon ndaj kallëzimit të PD-së në SPAK për koncertin e Kanye West: Vendim qesharak, u gjet armiku i radhës
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar nga foltorja e Kuvendit hapin ligjor të ndërmarrë nga Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i cili ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Kallëzimi i opozitës lidhet me alokimin e një fondi prej 4.2 milionë eurosh për financimin e koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West në Tiranë.
Sipas Ballës, ky veprim është shkaku real i mungesës së përfaqësuesve të opozitës në sallën e seancave plenare, duke e cilësuar lëvizjen si joprofesionale dhe dëmtuese për imazhin politik të vendit.
“Zbuluam dhe morëm vesh pse PD ka bojkotuar seancën sepse kanë shkuar të kallëzojnë penalisht Kanye West. U gjet dhe një armik tjetër i shqiptarëve. Hyjmë në listën e lajmeve qesharake në botë”, deklaroi Balla gjatë fjalës së tij.
Mbrojtja e financimit publik dhe ndikimi në imazhin e vendit
Në argumentimin e tij, kreu i deputetëve socialistë mori në mbrojtje vendimmarrjen e ekzekutivit për të mbështetur financiarisht eventin, duke theksuar se aktivitete të këtyre përmasave prodhojnë një audiencë të lartë ndërkombëtare që i shërben promovimit të Shqipërisë.
Balla konfirmoi mbështetjen e tij ndaj vendimit të kryeministrit dhe qeverisë për financimin e aktivitetit, duke vënë në dukje se praktika të tilla janë aplikuar edhe nga kabinete të mëparshme për ngjarje të këtij niveli.
Koncerti u cilësua si një “lajm botëror” me një audiencë që sipas tij rrallëherë mund të arrihet përmes mediave tradicionale.
Ai vuri në dukje se dorëzimi i dokumentit në prokurori është bërë zyrtarisht në emër të grupit parlamentar të PD-së, duke shënjestruar autoritetet organizatore dhe artistin.
“Ata kanë kallëzuar këngëtarin apo autoritet që organizuan atë event të atyre përmasave të mëdha që pamë. Ai moment, ajo ditë është një imazh për Shqipërinë. Është turp që një parti politike e degradon debatin politik në një kallëzim penal për një koncert”, nënvizoi ndër të tjera deputeti i shumicës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.