KUVENDI MIRATON NDRYSHIMET KUSHTETUESE PËR DREJTËSINË DHE BANKËN QENDRORE
Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi miratoi me 68 vota pro amendamentet kushtetuese që lidhen me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe Bankën Qendrore të Malit të Zi.
Asnjë deputet nuk votoi kundër apo abstenoi. Me të njëjtin numër votash u miratua edhe vendimi për shpalljen e amendamenteve.
Gjatë debatit, opozita shprehu shqetësime për kompetencat që amendamentet u japin Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit dhe kryetarit të Gjykatës Supreme.
Kryetari i PDS-së, Danijell Zhivkoviq, paralajmëroi se përqendrimi i madh i pushtetit në sistemin e drejtësisë mund të çojë në abuzime, ndërsa kërkoi më shumë balancë institucional.
Nga shumica parlamentare, Jellena Bozhoviq tha se amendamentet janë harmonizuar me Komisionin Evropian, por pranoi se edhe pozita edhe opozita kanë rezerva për disa prej zgjidhjeve të propozuara.
Debati u shoqërua edhe me përplasje politike mes Zhivkoviqit dhe deputetit, Millan Knezheviq, veçanërisht për mënyrën e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe çështjen e statusit ushtarak të kryeministrit Mlilojko Spajiq në Serbi.
Knezheviq kërkoi verifikimin e këtyre pretendimeve dhe deklaroi se, nëse ato rezultojnë të vërteta, Spajiq duhet të japë dorëheqjen.
Amendamentet, të cilat rregullojnë përbërjen, zgjedhjen dhe mandatin e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, tashmë janë pjesë e procesit të ndryshimit të Kushtetutës.
Kuvendi e kishte miratuar draftin më 9 korrik, ndërsa pas debatit publik deputetët hynë në fazën përfundimtare të reformës kushtetuese.
Ndryshimet janë të rëndësishme edhe në kuadër të procesit të integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ndërsa edhe LQ URA dhe Aleanca Evropiane e kanë mbështetur miratimin e amendamenteve.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.