Letra prekëse e Diomande për motrën e ndjerë: Të kujtohet kur u thoshe të gjithëve se jam më i miri?
Yan Diomande, talenti i Bregut të Fildishtë, i ka dedikuar një letër prekëse motrës së tij, e ndarë nga jeta në moshën 15-vjeçare.
“E dashur Roxane, të kujtohet kur dikush më bleu një fanellë imitim të Manchester United dhe unë shkruajta Ronaldo 7 me një penel të zi? Nuk e dinim, nëse ishim të pasur apo të varfër. Njihnim vetëm lumturinë, – shkruan fantazisti i Lajpcig. – Të kujtohet kur më dhuruan këpucët e para të vërteta të futbollit dhe unë fjeta me to?
Që fëmijë luaja gjithmonë me ato sandalet plastike të bardha. Edhe tani, kur kthehem në shtëpi, luaj akoma me to. Është tradita jonë”.
Më tej letra vazhdon: “Të kujtohet kur bëra një provë te Bournemouth? Te Chelsea, Rangers, Olympiacos, Crystal Palace? Eze dhe Olise u afruan pas stërvitjes dhe më thanë: ‘Ej, djalosh, je vërtet shumë i fortë’. Nuk më morën, as skuadrat e rezervave të MLS nuk më donin. Nuk e di pse, nuk më dhanë kurrë një shpjegim.
Më çuan në gjithë Europën dhe të gjithë më thoshin ‘Jo’. Viza ime kishte skaduar. Ëndrra u shua. Më kthyen në Afrikë dhe qamë bashkë. Ti je ajo që nuk ndaloi kurrë së besuari tek unë. Disa javë më pas firmosa për Leganés dhe qamë ndryshe këtë herë. Atëherë ndjeja ende emocione, tani nuk ndjej asgjë. Sikur nuk jam njeri. Që kur nuk je më, ndihem bosh”.
“Nuk besoj se qava ditën kur më thanë se ti ike. Isha i shokuar. Ndodhi pak javë pas debutimit tim me Leganés. Kush debuton 18 vjeç kundër Real Madrid? Një çmenduri, një ëndërr që realizohet. Pastaj u bë një makth”, – shton lojtari.
Diomande, 19 vjeç, po përjeton një ëndërr në Botëror. “Tani jam në Botëror. Vërtet. Vëllai yt luan për Bregun e Fildishtë, si Drogba, Yaya, Gervinho. Nuk e shoh si një ndeshje, e shoh si një skenë. Është rasti t’i tregoj gjithë botës atë që ti pe tek unë. Çdo herë që do të shënoj, do ta bëj në mënyrë që të gjithë ta dinë emrin tënd.
Do të bëj në mënyrën që mos të të harrojnë. Ke thënë gjithmonë se jam më i mirë se Cristiano. Nëse do ta shoh, do ta përshëndes për ty. Do të bëj atë që parashikove, të premtoj. Edhe para se të kisha këpucë të vërteta, u thoshe të gjithëve: ‘Vëllai im do të bëhet më i miri në botë’. Do të tregoj se kishe të drejtë. Vëllai yt, Yan.”




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.