“Logos Press”: Shqipëria shënon rritje rekord të kërkesës për akomodime turistike në Ballkan
– Kërkesa për qira afatshkurtra në Shqipëri po rritet më shpejt sesa oferta (numri i pronave të disponueshme për t’u dhënë me qira), gjë që ka çuar në rritjen e çmimeve, shkruan Arina Codreanu në gazetën javore ekonomike të pavarur moldave “Logos Press”.
Sipas platformës analitike “AirDNA”, tregu ka shënuar disa nga rezultatet më të mira të viteve të fundit, gjatë kësaj vere.
Sipas të dhënave të “ACP Albania”, turistët rezervuan 284 300 netë qëndrimi në apartamente të listuara në “Airbnb”, “Booking.com” dhe platforma të tjera gjatë muajit qershor.
Kjo është 23% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në të njëjtën kohë, numri i pronave të disponueshme për qira u rrit vetëm me 9,26%, nga 28 900 në 31 600.
Kjo do të thotë se kërkesa u rrit shumë më shpejt sesa oferta, duke krijuar mungesë të pronave të lira.
Si pasojë, shkalla mesatare e rezervimit (përqindja e kohës që një pronë është e rezervuar) u rrit në 60%, nga 55% që ishte në qershor të vitit të kaluar.
Sipas “AirDNA”, pronat e reja që regjistrohen në “Airbnb” dhe platforma të ngjashme gjejnë qiramarrës pothuajse menjëherë.
Edhe çmimet janë rritur paralelisht me kërkesën.
Çmimi mesatar për një natë arriti në 65,85 euro në qershor, ose 5,48% më shumë se një vit më parë, kur ishte 62,43 euro.
Kjo rritje nuk ka qenë një fenomen i përkohshëm.
Gjatë 12 muajve të fundit: numri i netëve të rezervuara u rrit me 18%, duke arritur në 2,5 milionë net; të ardhurat nga tregu i qirave afatshkurtra u rritën me 20%, duke arritur në 144 milionë euro; numri mesatar i pronave aktive të listuara arriti në 28,000, ose 15,3% më shumë se një vit më parë; çmimi mesatar për natë u rrit në 57,5 euro; shkalla mesatare vjetore e rezervimit ishte 54,5%.
Një nga arsyet e kësaj tendence është ndryshimi në mënyrën se si udhëtojnë turistët.
Gjithnjë e më shumë vizitorë po udhëtojnë në mënyrë të pavarur, duke zgjedhur apartamente dhe banesa me qira në vend të hoteleve.
Kjo mban të lartë kërkesën për akomodime private jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe gjatë gjithë vitit.
Përsa i përket rritjes së ofertës, Shqipëria mbetet një vend lider në Ballkan.
Gjatë vitit të fundit, numri i pronave aktive të listuara u rrit me 15,34%, duke lënë pas Malin e Zi (10,04%), Rumaninë (10%), Serbinë (8,5%), Slloveninë (6,6%) dhe Bullgarinë (5%).
Për nga madhësia e tregut të qirave afatshkurtra, Shqipëria renditet e dyta në Ballkan, pas Rumanisë.
Mesatarisht, çdo muaj jepen me qira rreth 28,000 prona në Shqipëri, krahasuar me 34,300 prona në Rumani.
Të dhënat e muajit qershor, tregojnë se interesi i turistëve për Shqipërinë vazhdon të rritet dhe, bashkë me të, po rritet edhe interesi ndaj pasurive të paluajtshme shqiptare, për investitorët që synojnë të sigurojnë të ardhura nga qiratë afatshkurtra. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.