Mbi 50 galeri të Dyseldorfit dhe Këlnit kundër AfD-së: Arti nuk i përket asnjë partie politike
Letra e hapur e nisur nga galeristja Daniela Horn dënon përpjekjen e ekstremit të djathtë gjerman për të instrumentalzuar trashëgiminë e Joseph Beuys-it dhe Heinrich Heine-s; eventi i AfD-së i planifikuar për 26 tetor nuk do të mbahet më në Institutin Heinrich Heine.
Mbi 50 galeri arti në Dyseldorf dhe Këln kanë nënshkruar një letër të hapur kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), duke e akuzuar atë se po përpiqet të përvetësojë trashëgiminë kulturore të qytetit, në veçanti emrin e artistit Joseph Beuys dhe të poetit Heinrich Heine, siç njofton Hyperallergic. Letra, e publikuar më 15 tetor dhe e nisur nga Daniela Horn, themeluesja e galerisë Van Horn, u nënshkrua fillimisht nga mbi 30 galeri të Dyseldorfit, mes tyre Galerie Konrad Fischer, Ruttkowski;68 dhe Sies + Höke.
«Ne, galeritë e Dyseldorfit, kundërshtojmë me forcë këtë përpjekje për të përvetësuar historinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit tonë për një agjendë politike partiake», thuhet në letër, sipas ARTnews. Sipas nënshkruesve, AfD-ja po e instrumentalizon historinë e artit dhe të kulturës të Dyseldorfit «për t’i shërbyer një narrative politike që promovon përjashtimin shoqëror». «Arti dhe kultura nuk i përkasin asnjë partie politike», thekson letra, duke shtuar se kultura e Dyseldorfit lulëzon nga hapja e saj dhe se kjo hapje duhet ruajtur.
Shkak për reagimin u bë eventi i degës së AfD-së në Dyseldorf, «Politika kulturore nga e djathta», i planifikuar për të hënën, 26 tetor, me një shëtitje nëpër vendet e artit dhe kulturës të qytetit dhe një ligjëratë të deputetit të Bundestagut Matthias Helferich. Sipas raportimeve të Frankfurter Allgemeine Zeitung, të cituara nga ARTnews, eventi nuk do të mbahet më në Institutin Heinrich Heine, vendi i planifikuar fillimisht, për «arsye organizative», siç ka deklaruar një zyrtar i qytetit.
Pas letrës së Dyseldorfit, galeritë e Këlnit publikuan një letër të dytë në shenjë solidariteti, të nënshkruar ndër të tjera nga Galerie Gisela Capitain, Drei dhe Galerie Nagel Draxler. «Duke shtuar nënshkrimet tona, ne, galeritë me seli në Këln, e mbështesim këtë nismë në solidaritet me kolegët tanë në Dyseldorf. Së bashku, në gjithë Rajnlandin, ngrihemi për lirinë e artit dhe të kulturës, për diversitetin kulturor dhe për vlerat themelore demokratike», thuhet në letrën e Këlnit.
Joseph Beuys (1921–1986), një nga artistët gjermanë më me ndikim të pasluftës, artist konceptual dhe aktivist politik, jetoi dhe punoi për shumë vite në Dyseldorf, ku ishte edhe profesor në Akademinë e Arteve. Hyperallergic vë në dukje, megjithatë, se ka kontaktuar disa nga nënshkruesit dhe nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur përmendjen e Beuys-it në faqet e AfD-së apo të degës së saj në Dyseldorf — akuza e galerive mbështetet në materialet promovuese të eventit, të cilave letra u referohet drejtpërdrejt.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.