Metformina, ilaçi i përdorur për diabetin e tipit 2, mund të ndihmojë në parandalimin e demencës
– Një ilaç i përdorur gjerësisht për diabetin e tipit 2, mund të lidhet me një rrezik dukshëm më të ulët të demencës dekada më vonë, sipas një studimi të ri amerikan, sipas “Science”.
Studimi analizoi të dhënat afatgjata të Programit për Parandalimin e Diabetit (DPP) dhe Studimit të Rezultateve të Programit për Parandalimin e Diabetit (DPPOS), një program kërkimor që nisi në fund të viteve ’90 dhe ka ndjekur për shumë vite, persona me rrezik të lartë për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
Studiuesit analizuan 1 483 persona, me moshë mesatare 74 vjeç, të cilët fillimisht kishin rrezik të lartë për diabetin e tipit 2.
Pjesëmarrësit ishin ndarë në mënyrë të rastësishme në grupe që merrnin metforminë, placebo ose ndiqnin një program intensiv për ndryshimin e stilit të jetesës.
Rezultatet treguan se personat e caktuar fillimisht, në grupin e metforminës kishin mesatarisht 15,5 vite ekspozim ndaj këtij ilaçi gjatë periudhës së ndjekjes.
Kur funksionet njohëse u vlerësuan gjatë viteve 2022–2024, përdorimi afatgjatë i metforminës, u shoqërua me 60% më pak gjasa për demencë, krahasuar me grupin placebo, dhe me 62% më pak gjasa, krahasuar me grupin që ndoqi ndërhyrjen intensive për ndryshimin e stilit të jetesës.
Metformina u shoqërua gjithashtu me një performancë disi më të mirë në testet e kujtesës, gjatë viteve të ndjekjes.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes.
Metformina është një ilaç i përdorur kryesisht për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe përdorimi i saj duhet të bëhet vetëm sipas këshillës së mjekut.
Në përfundim, studimi ofron një sinjal premtues se përdorimi afatgjatë i metforminës, mund të ketë edhe përfitime në shëndetin e trurit, por nevojiten të dhëna të tjera përpara se kjo lidhje të konsiderohet e provuar. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.