Ministri Gonxhja në “Trialog”: Protesta në Tiranë nisi nga indinjata për Zvërnecin, por po vuan nga mungesa e një përfaqësie të qartë
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka komentuar ecurinë dhe dinamikën e protestës disaditore që po zhvillohet në Tiranë. Gjatë emisionit “Trialog” në RTSH, të moderuar nga Alba Alishani, ku po diskutohej mbi temën “Si po i përgjigjet qeveria 5 kërkesave të protestës?”, Gonxhja pranoi rëndësinë e tubimit, por ngriti pikëpyetje mbi legjitimitetin e pikave të artikuluara së fundmi.
Sipas ministrit, zanafilla e protestës lidhej me një ngjarje specifike në Zvërnec, ndaj së cilës strukturat shtetërore morën masa të menjëhershme ndëshkimore.
Gonxhja sqaroi se reagimi fillestar i qytetarëve erdhi si pasojë e sjelljes së paligjshme të një kompanie private sigurie, fakt për të cilin pati institucione që mbajtën përgjegjësi.
“Vetë protesta që në ditët e para ishte një indinjatë ndaj një gjesti që na prekur të gjithëve dhe që u morën masa dhe ku shteti reagoi jo vetëm ndaj rojeve private, por edhe ndaj zinxhirit drejtues të policisë së Vlorës. Në ditët e para të sjelljes jashtë çdo norme të trupës private të subjektit, dinamika e më pasme e reagimeve qoftë personale apo në grup, protesta është plurale e ndryshueshme dita ditës.”, tha Gonxhja.
Ministri bëri një radiografi të ecurisë së tubimit, duke vënë në dukje se me kalimin e ditëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë të identifikohet se kush e udhëheq atë apo nga burojnë platformat me kërkesa zyrtare.
“Është vënë re edhe një lloj organizimi i tribunës së folësve, më pas bëhet e vështirë të kuptohet në mënyrë që të japësh një përmbledhje të protestës. Në fund vijmë në një moment që një ditë më parë patëm një qartësi se nga doli kjo letër e shkruar ku u artikuluan kërkesa. Por është e paqartë nga dalin pikat, ku është përfaqësia, të cilat artikulohen nga një person. Është vështirë të japësh një gjykim sepse nuk ka një drejtim, grup organizator.”, tha Gonxhja.
Ndonëse e cilësoi si një organizim të konsiderueshëm dhe të rëndësishëm në kuadër të një Shqipërie demokratike, Gonxhja hodhi poshtë pretendimet se ky është tubimi më i gjatë në tre dekada. Ai shtoi se qeveria ka tentuar të mbajë kanale komunikimi me ata që kanë shfaqur kauza legjitime, veçanërisht sa i përket çështjeve mjedisore.
“Kishte një pjesë e cila lidhej si reagim ndaj atij akti nga trupa e rojeve private dhe shqetësime për mjedisin. Në këto ditë jemi munduar të komunikojmë me ata njerëz që kanë shprehur shqetësime të sinqerta. Jemi interesuar që t‘i kuptojmë ato si shqetësime. Por dhe duke i sqaruar për ato gjëra që nuk kanë qenë në dijeni për aspektin rregullator dhe të vendimmarrjes që lidhej me Zvërnecin, sepse nga aty filloi”, përfundoi Gonxhja.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.