Ministri Salla takim me fermerët në Korçë: Dëmshpërblimet për përmbytjet do jepen së shpejti
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla këtë të martë zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve të bimëve medicinale dhe fermerë të zonës së Pogradecit dhe Korçës, ku u diskutuan problematikat e sektorit, skemat mbështetëse dhe procesi i subvencionimit.
Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se kjo është një zonë me potencial të madh bujqësor dhe se numri i aplikimeve për skemat kombëtare të mbështetjes ka qenë i konsiderueshëm.
Sa i përket dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe fatkeqësitë natyrore të fundvitit të kaluar dhe janarit të këtij viti, ministri deklaroi se qeveria ka përfunduar procedurat ligjore dhe se pritet miratimi i një akti normativ, i cili do t’i hapë rrugë nisjes së procesit të dëmshpërblimit për fermerët e prekur në të gjithë vendin.
“Do jepen dëmshpërblimet shumë shpejt. Po bëhet gati akti normativ dhe fermerët do dëmshpërblehen”, iu përgigj ministri gazetarit të Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi i cili e pyeti për dëmshpërblimet e premtuara nga dëmet e përmbytjeve të Janarit të këtij viti.
Ai u ndal edhe te skemat e mbështetjes për blegtorinë, duke theksuar se ulja e pragut të përfitimit ka sjellë numrin më të lartë të aplikimeve të regjistruara ndonjëherë në këtë sektor. Sipas tij, pragu për bagëtitë e imta është ulur nga 100 në 50 krerë, ndërsa për lopët nga 10 në 5 krerë, duke u dhënë mundësi të përfitojnë edhe fermerëve të vegjël.
Ministri bëri të ditur se për herë të parë është vendosur edhe një grant prej 10 mijë eurosh për të rinjtë që investojnë në blegtori, ndërsa vijon procesi për kompensimin në masën 10% të faturave të shitjes, përmes procedurave pranë administratës tatimore.
Sipas ministrit, deri më tani vlera e mbështetjes përmes kësaj skeme ka arritur në 13.5 milionë euro. Ai theksoi se skema synon të mbështesë drejtpërdrejt fermerët që punojnë tokën, me procedura të thjeshtuara dhe pa burokraci, ndërsa kompensimi do të shpërndahet dy herë në vit, në muajt korrik dhe dhjetor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.