“Moody’s” përmirëson perspektivën e Shqipërisë, ministri Malaj: Vlerësimi konfirmon forcimin e financave publike dhe
Ministria e Financave ka bërë të ditur se agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s ka përmirësuar perspektivën e Shqipërisë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”, duke konfirmuar njëkohësisht vlerësimin e vendit në nivelin “Ba3”.
Në një njoftim të ministrit të Financave, Petrit Malaj, thuhet se vendimi i Moody’s pasqyron forcimin e pozicionit fiskal dhe të jashtëm të Shqipërisë, si edhe përshpejtimin e reformave strukturore në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas agjencisë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen, me një zgjerim real të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.6% në vitin 2026 dhe 3.5% në 2027. Moody’s vlerëson gjithashtu se borxhi publik do të vijojë të ulet, duke zbritur nga 52.9% e PBB-së në fund të vitit 2025 në 50.2% në vitin 2027.
Agjencia ka vlerësuar edhe performancën e financave publike, duke theksuar se Shqipëria ka regjistruar suficite primare gjatë tre viteve të fundit. Deficiti fiskal në vitin 2025 ishte 1.8% e PBB-së, nën nivelin e parashikuar në buxhet.
Një tjetër faktor i evidentuar është përmirësimi i pozicionit të jashtëm të vendit. Deficiti i llogarisë korente u ngushtua në 0.7% të PBB-së në vitin 2025, ndërsa investimet e huaja direkte vijuan të jenë të konsiderueshme.
Në vlerësimin e saj, Moody’s i referohet edhe progresit të Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Evropian dhe financimeve që vendi përfiton përmes instrumenteve të paraanëtarësimit dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku alokimi indikativ për Shqipërinë arrin në 922.1 milionë euro.
Për Ministrinë e Financave, përmirësimi i perspektivës nga Moody’s përbën një tregues të forcimit të stabilitetit makroekonomik dhe të progresit në reformat strukturore, ndërsa vlerësimi i konfirmuar pritet të mbështesë besimin e investitorëve ndërkombëtarë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.