“Negociatat s’duhet të pengohen”, Rama: Dialogu është rruga për të trajtuar shqetësimet e qytetarëve
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një komenti të avokatit Dorian Matlija, i cili distancohet nga dhuna në protestë që u zhvillua ditën e sotme para Kuvendit, ndërsa mbështet protestën lidhur me shqetësimet e drejta të qytetarëve, si mbrojtja e mjedisit, transparenca apo anti-korrupsioni.
Duke e cilësuar si një “hap konstruktiv në drejtimin e duhur” ndryshimin e qëndrimit të protestuesit, Rama thekson se procesi i integrimit europian duhet të mbetet prioriteti kryesor i vendit.
Gjithashtu ai fton protestuesit se dëgjimi dhe zgjidhja e shqetësimeve të tyre që i kanw ngritur për më shumë se një muaj në prostatat e zhvilluara në Tiranë, janë dialogu demokratik me qeverinë.
Rama theksoi se në këtë moment historik fokusi duhet të jetë rruga europiane e Shqipërisë, ndërsa shqetësimet e protestuesve duhet të adresohen përmes dialogut institucional.
“ Hap konstruktiv në drejtimin e duhur, po dy gjëra duhet t’i kuptojë kushdo ka arritur në këtë kthesë, paçka se me pak vonesë:
1. Ky “pushteti kriminal” është në negociata me Bashkimin Europian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe ka mandatin më të fortë popullor të 20 viteve të fundit, pikërisht që të mbyllë negociatat pa humbur asnjë ditë kohë e pa u çfokusuar në asnjë moment nga ky mision kombëtar
2. Sot nuk ka asnjë moment tjetër historik për të pasur parasysh, përveç rrugës së hapur të Bashkimit Europian për Shqipërinë, e cila nuk duhet lënë kurrësesi të mbyllet, ndërsa temat e “natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparencës, anti-korrupsionit apo arrogancës së pushtetit” ka vetëm një rrugë për t’i trajtuar me seriozitet: Dialogu demokratik me Qeverinë Shqiptare”, shkruan Rama.
Në postimin e tij, Avokati Dorian Matlija ka shkruar se do të vijojë të mbështesë protestën qytetare për mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe luftën kundër korrupsionit, por u distancua nga individët që, sipas tij, pretendojnë të flasin në emër të protestuesve. Ai kritikoi gjithashtu propozimet që i cilësoi si jokushtetuese dhe u shpreh kundër çdo akti dhune apo veprimi që, sipas tij, i jep alibi qeverisë dhe dëmton kauzën e protestës.
“Unë jam dhe do mbetem pjesë e protestës qytetare. Jam në këtë protestë për natyrën, për Vjosë-Nartën, për flamingot, për transparencën, kundër korrupsionit, kundër kapjes së shtetit dhe arrogancës së pushtetit. Për arsye se dua që kjo protestë të ketë sukses, sot distancohem qartë nga: 1. Mikrofoni dhe përfaqësimi i vetëshpallur. Askush nuk ka mandat të flasë në emër të popullit vetëm pse ka kapur një mikrofon, ka hipur në një shkallë apo ka krijuar një grup Whatsapp-i. Protesta nuk ka nevojë për fytyra të vetëshpallura. Populli flet vetë, me praninë masive në shesh, me korin, me pankartat, me këngët, dhe me dinjitetin.
2. Fantazitë institucionale të analfabetëve kushtetues të veshura me flamur patriotik. Distancohem nga kuvendet imagjinare, sekretariatet patriotike, qeveritë teknike të shpikura, listat e shpallura pa logjikë juridike dhe kërkesat që ngatërrojnë dëshirën me Kushtetutën. 3. Çdo aksion që i jep alibi pushtetit. Distancohem nga vezët, gurët, thyerjet, dhuna, teoritë konspirative dhe çdo sjellje që e kthen protestën nga kauzë qytetare në karikaturë apo alibi të përdorshme nga qeveria”, shkruan avokati ndër të tjera.
Protestat ditën e sotme para Kuvendit u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku mbetën te plagosur 15 efektivë dhe 4 protestues.
Protestuesit kanë gjuajtur me vezë, miell dhe gurë në drejtim të efektivëve dhe deputetëve, ndërsa nuk kanë munguara as përplasjet fizike. Për të shpërndarë turmën efektivët përdorën ujë dhe gaz lotsjellës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.