Njëri dhunoi kunatën, tjetri babain/ Pas kontrollit iu gjenden armë e tritol, dy në pranga në Lezhë dhe Kurbin
Dy persona janë vënë në pranga nga Policia, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tyre. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, efektivët kanë zbuluar gjithashtu armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë plasëse.
Në Lezhë, në pranga ka rënë M. P., 33 vjeç, banues në Lezhë. Sipas Policisë, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së vëllait.
Gjatë kontrollit në banesën e 33-vjeçarit, policia sekuestroi 5 kallëpë tritoli, një pushkë dhe municion luftarak.
Ndërkohë, në Kurbin është arrestuar në flagrancë G. K., 48 vjeç, banues në Mamurras. Ai dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.
Gjatë kontrollit në banesën e 48-vjeçarit, uniformat blu gjetën të fshehur një armë zjarri automatik, me fishek në fole, si dhe municion luftarak.
Sipas Policisë, arrestimet u kryen pas ndërhyrjeve të shpejta operacionale, pas njoftimeve për raste të dhunës në familje.
Materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.