“Nuk ishte kompetencë e Presidentit”, Topi flet pas dëshmisë për ‘Partizanin’: Privatizimi nuk varej nga Presidenca
Një orë pas dëshmisë së dhënë para togave të zeza në lidhje me dosjen “Partizani”, ish-presidenti i Shqipërisë Bamir Topi ka ritheksuar për mediat se nuk ka qenë kompetencë e Presidencës për privatizimin e pronës në fjalë.
“Në kuadrin e reformave kishte 3 dimensione, politik qeveria ministria e mbrojtjes, e dyta ishte ekspertizë, në një procedurë zyrtare vinin për të marrë firmën e presidentit… Kjo është një çështje në gjykim… di të them se nuk ka qenë kompetencë e presidentit për të privatizuar pronat” u shpreh Bamir Topi për mediat.
Njëjtë si në seancën e mbajtur ditën e sotme për “Partizanin” ku theksoi se nuk ka pasur kompetenca për çështjen në fjalë, për të cilën sot hetohen ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, Topi tha se bëhej fjalë për një periudhë reformash të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, që sipas tij asistohej nga ekspertë të Aleancës.
Në përmbyllje të fjalës së tij të mbajtur për mediat, ish-presidenti u shpreh se prona mund të qëndrojë shtetërore , mund të transferohet te bashkia ose futet në rrugën e privatizimit.
“Jemi duke bërë intervistën në 40 gradë, por në respektin tuja kemi pasur komunikim shumë të mirë. Një pronë që del nga plani i përhapjes del si pronë shtetërore, pastaj nëse doni mendimin tim ajo mund të qëndrojë në pronë shtetërore, mund të transferohet te bashkia, dhe e treta mund të futet në rrugën e privatizimit, se si bëhet nuk është çështja ime” tha Bamir Topi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.