Nvidia nis hetimet ndaj drejtorit ekzekutiv të Nvidia për shqetësimet lidhur me inteligjencën e huaj
Kompania amerikane Nvidia ka njoftuar të dielën se do të nisë një hetim të pavarur ndaj themeluesit dhe drejtorit të saj ekzekutiv, Jensen Huang, pas shqetësimeve se ai mund të ketë qenë “objekt i një operacioni të inteligjencës së huaj”.
Njoftimi i publikuar në faqen zyrtare të kompanisë vjen pasi zyrtarë amerikanë kanë shprehur shqetësime për raportet e Huangut me Alice Huang, ish-drejtuese e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor. Sipas raportimeve, të dy nuk kanë lidhje familjare.
Gazeta Financial Times kishte raportuar më herët se zyrtarët amerikanë dyshonin se mes tyre kishte një marrëdhënie romantike. Ndërkohë, disa media kanë raportuar se autoritetet amerikane dyshojnë se Alice Huang i ka përcjellë informacione Kinës dhe ka ndihmuar në kontrabandimin e çipave të avancuar të inteligjencës artificiale drejt këtij vendi.
Nvidia është prodhuesi kryesor në botë i çipave në kohën e zgjerimit të shpejtë të teknologjisë së inteligjencës artificiale, me një kapitalizim tregu prej rreth 4.5 trilionë dollarësh, transmeton Telegrafi.
Në një deklaratë të mëparshme, kompania kishte thënë se takimet e Jensen Huangut me drejtues të kompanive të tjera janë pjesë normale e detyrave të tij si drejtor ekzekutiv, pasi ai zhvillon takime me mijëra përfaqësues të klientëve çdo vit. Nvidia kishte shtuar gjithashtu se shqetësimet për devijimin e paligjshëm të çipave ishin rrëzuar vitin e kaluar.
Hetimin e ri do ta mbikëqyrë një komitet i përbërë nga anëtarë të pavarur të bordit dhe këshilltarë të jashtëm ligjorë.
“Bordi i drejtorëve i jep përparësi sigurisë kombëtare dhe ekonomike të SHBA-së, të cilat janë thelbësore për interesat e Nvidia-s dhe aksionarëve të saj”, thuhet në deklaratën e kompanisë. Megjithatë, bordi theksoi se nuk ka arsye të besojë se janë komprometuar siguria kombëtare apo sekretet e kompanisë.
Një zëdhënës i Nvidia-s i tha CNN-it se zhvillimet e fundit nuk do të ndikojnë në funksionimin e kompanisë dhe se Huang do të vazhdojë ta udhëheqë atë pa ndërprerje.
Ndërkohë, 63-vjeçari Huang u ka dërguar një mesazh punonjësve të kompanisë, në të cilin ka pranuar se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes dhe se veprimet e tij kishin lënduar atë dhe fëmijët e tyre. Ai nuk e ka përmendur me emër gruan tjetër.
“Unë marr përgjegjësinë e plotë për atë që bëra dhe për dhimbjen që shkaktova, si dhe pranoj kritikat që vijnë me këtë”, ka shkruar Huang, duke shtuar se e mbështet hetimin e Nvidia-s.
Ai ka theksuar gjithashtu se është i përkushtuar për mbrojtjen e kompanisë dhe mbështetjen e sigurisë kombëtare amerikane. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.