Pagat e magjistratëve, maxhoranca prezanton draftin në Kuvend, propozohet rritja e koeficientit
Deputetët socialistë Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli propozojnë rritjen e koeficientit të pagës referuese bazë për magjistratët nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës. Nisma u prezantua në Komisionin e Ekonomisë, ndërsa projektligji synon të ndryshojë mënyrën e përcaktimit të bazës mbi të cilën llogariten pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë.
Gjatë prezantimit të nismës, deputetja Aulona Bylykbashi tha se ndryshimi i koeficientit nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit rrit bazën e llogaritjes për të gjithë strukturën e pagës së magjistratëve.
“Gjykata nuk ka imponuar një formulë të vetme numerike, zgjedhje e modelit është në diskrecionin e ligjvënësit me kusht që ajo të respektojë standardet kushtetuese dhe ajo mos kalojë në formulë tjetër që sjellë një ulje të pagesës. Ndryshimi i parë është paga referuese bazë. Ne propozojmë që koeficienti i pagës referuese bazë të kalojë nga 0.36 në 0.38% të pagës së Presidentit. Ky ndryshim rrit bazën mbi të cilën llogaritet e gjithë struktura e pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet”, tha ajo.
Sipas saj, koeficienti i ri është përcaktuar duke marrë në konsideratë, nga njëra anë, garancitë kushtetuese për trajtimin financiar të magjistratëve dhe, nga ana tjetër, mundësitë financiare të shtetit.
“Koeficienti 0.38 është një shifër që vjen si rezultat e një vlerësimi që ka marrë parasysh nga njëra anë garancitë kushtetuese për trajtimin financiar të magjistarëve, por nga ana tjetër ka marrë në konsideratën edhe mundësitë reale financiare të shtetit sepse edhe vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese shpreh se kjo formulë duhet ët respektojë pavarësinë dhe integritetin e gjyqtarëve, pro duhet ët marrë parasysh edhe qëndrueshmërinë fiskale dhe prioritete sociale dhe të zhvillimit ekonomik”, theksoi ajo.
Bylykbashi deklaroi se, sipas përllogaritjeve të bëra, paga bruto e një magjistrati të shkallës së parë do të arrijë afërsisht në 90-91% të pagës së Presidentit. Ajo sqaroi se bëhet fjalë për një tregues orientues, pasi paga individuale do të ndryshojë në varësi të grupit, vjetërsisë dhe shtesave përkatëse.
Drafti parashikon gjithashtu ruajtjen e mekanizmit të indeksimit periodik të pagave, jo më vonë se çdo dy vjet, me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas Bylykbashit, referimi te paga e Presidentit është zgjedhur për të garantuar një bazë të qëndrueshme dhe të përcaktuar me ligj.
“Sipas llogarive tona, në një shembull, paga bruto e një magjistrati të shkallës së parë do të rri afërsisht në 90-91% të pagës së Presidentit. Është një tregues orientues sepse paga e secilit do të ndryshojë sipas grupit, vjetërsisë dhe shtesave përkatëse. Kemi zgjedhur referimin te paga e presidentit sepse ruan një bazë të qëndrueshme dhe të përcaktueshëm me ligj. Ajo miratohet çdo vit në kuadër të buxhetit, pra mbete e lidhur me një proces publik dhe transparent të Kuvendit. Njëkohësisht projektligji ruan edhe mekanizmin e indeksimit periodik. Jo më vonë se çdo 2 vjet me vendim të Këshillit të Ministrave”, theksoi Bylykbashi.
Deputetja e cilësoi nismën si një zgjidhje që synon të përmbushë njëkohësisht tre objektiva: zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e trajtimit financiar të magjistratëve brenda kufijve kushtetues dhe korrigjimin e problematikave brenda sistemit, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë e financave publike.
“Kjo është një nismë që besoj se është përgjegjësi e të gjithë deputetëve dhe është për t’u trajtuar jo me ndasi politike, por me një pjekur institucionale, ndaj ju ftoj ta votoni këtë nismë”, tha Bylykbashi.
Drafti mori mbështetjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë e Financave.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë u shpreh se nisma përmbush parashikimet e Gjykatës Kushtetuese dhe vendos parime që synojnë të garantojnë qartësi dhe siguri juridike.
“Jemi të mendimit që nisma plotëson jo vetëm në drejtim të plotë të parashikimeve të Gjykatës Kushtetuese, por vendos edhe parime të shëndosha që sigurojnë qartësinë dhe sigurinë juridike”, tha përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë.
Edhe Ministria e Financave konfirmoi se ka kryer përllogaritjet financiare për variantin e propozuar. Sipas përfaqësuesit të saj, kostoja është vlerësuar e pranueshme, ndërsa do të buxhetohet në vijim.
“Ne kemi bërë kalkulimet financiare të këtij varianti dhe ka rezultuar që është një kosto e pranueshme, por që do të buxhetohet në të ardhmen. Kemi kërkuar edhe disa specifikime që t ndahet kosto e prapambetur”, u shpreh përfaqësuesja e Ministrisë së Financave.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.