Pas IBAR-it, Berlini konfirmon mbështetjen për Shqipërinë, Gogu: Reforma hyn në fazën e rezultateve
Ministri i Drejtësisë Tonin Gogu zhvilloi sot (13 qershor) takime te rëndësishme me përfaqësues të lartë të qeverise gjermane, përkatësisht me Ministrin e Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum, dhe me Sekretaren Parlamentare të Shtetit pranë Ministrisë Federale të Drejtësisë, Annette Kramme
Takimet u zhvilluan pas miratimit të IBAR-it nga partnerët europianë, vlerësimit ndërkombëtar që konfirmon progresin e Shqipërisë dhe i hap rrugën fazës së mbylljes për Kapitullin 23.
Bashkëbisedimet u përqendruan mbi një pyetje të vetme: çfarë vjen pas IBAR-it dhe si e mbështet Gjermania fazën tjetër.
Në takimin me Ministrin e Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum, të dyja palët dakorduan se miratimi i IBAR-it nuk është fund i procesit, por është hyrja në fazën e tij më kërkuese.
“Nuk e trajtojmë IBAR-in si kurorëzim të punë, e trajtojmë si autorizim për të vazhduar me fazën që kërkon më shumë. Gjermania ka qenë dhe mbetet partner strategjik në këtë rrugëtim”, tha Ministri Gogu.
Krichbaum theksoi se mbështetja gjermane mbetet e palëkundur, me kusht që procesi të vazhdojë të jetë i bazuar në merita dhe rezultate të verifikueshme.
Pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe efikasiteti i institucioneve të reja mbeten kriteret e vlerësimit.
Në këtë angazhim Ministria e Drejtësisë ka tre prioritete për fazën aktuale, aksesi ndaj drejtësisë, efiçenca e sistemit gjyqësor dhe mbrojtja e të drejtave procedurale, prioritete që janë në linjë të drejtpërdrejtë me gjetjet e IBAR-it.
Si shembull konkret i kalimit nga reforma institucionale te rezultatet e matshme, u vlerësua ulja e ndjeshme e stokut të çështjeve të pazgjidhura në Gjykatën e Lartë, tregues i punës sistematike të viteve të fundit për përmirësimin e administrimit gjyqësor.
Takimi me Sekretaren Parlamentare Annette Kramme, e cila mban edhe funksionin e Presidente të Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, u fokusua te thellimi i partneritetit bilateral në drejtësi. Bashkëpunimi IRZ me institucionet shqiptare ka mbi dy dekada histori dhe mbetet një ndër mekanizmat kryesorë të asistencës teknike gjermane. Ndërsa së fundmi, diskutimi po kalon nga mbështetja e reformave te bashkëpunimi për mbylljen e kapitujve, dixhitalizimi i drejtësisë, administrimi gjyqësor dhe kapacitetet institucionale.
U vlerësua gjithashtu gjendja e bashkëpunimit gjyqësor ndërmjet dy vendeve me Gjermaninë si njërin prej partnerëve kryesorë të Shqipërisë në ndihmën juridike reciproke dhe në bashkëpunimin për çështjet e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave nëpërmjet Eurojust.
“Suksesi i reformës në drejtësi nuk do të matet nga numri i institucioneve të krijuara, por nga besimi që qytetarët kanë tek drejtësia. Kjo është boshti rreth të cilit po punojmë”, tha Ministri Gogu.
Faza pasardhëse do të fokusohet në mbylljen e benchmarkave të Kapitullit 23, me fokus te aksesi ndaj drejtësisë, efiçenca gjyqësore dhe dixhitalizimi. Vizita në Berlin vijon me takime të tjera me përfaqësues të Bundestagut.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.