Përplasje në Komisionin e Jashtëm, Sara Mila i drejtohet deputetëve të opozitës: “Pseudopatriotë, votuat kundër Shqipërisë në BE”. Haxhinasto: Tërhiqe mbrapsht, deklarata juaj sterile!
Debati në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme u shoqërua me tensione mes mazhorancës dhe opozitës, fillimisht për kërkesën e Partisë Demokratike për një deklaratë lidhur me qëndrimet e ministres së Jashtme të Serbisë, e më pas për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Përplasja më e fortë u zhvillua mes deputetes së Partisë Socialiste, Sara Mila, dhe deputetit Edmond Haxhinasto, pasi Mila akuzoi opozitën se ka mbajtur një qëndrim kontradiktor ndaj rrugës europiane të vendit.
Deputetja socialiste deklaroi se mbështetja për integrimin në Bashkimin Europian duhet të reflektohet me vota konkrete dhe jo vetëm me deklarata politike. Ajo iu referua mbledhjes së 21-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, të zhvilluar më 8 dhe 9 korrik në Strasburg, duke pretenduar se deputetët e Partisë Demokratike votuan kundër tekstit final për Shqipërinë.
“Ju votuat kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve për hyrjen e tyre në Bashkimin Europian. Ky është një akt pseudopatriotizmi”, deklaroi Mila, duke shtuar se opozita duhet të kërkojë ndjesë për këtë qëndrim para se të kërkojë deklarata të përbashkëta.
Pas deklaratës së saj, Edmond Haxhinasto kërkoi që deputetja të tërhiqte termin “pseudopatriotizëm”, duke kundërshtuar etiketime të tilla në diskutimin parlamentar.
“Kolegia Mila, pseudopatriotizëm duhet ta marrë mbrapsht. Nuk ka marrë informacionin e duhur për atë që ka ndodhur në komitetin e stabilizim-asociimit ku amendime të cilat janë kërkuar nga opozita, që kanë qenë në një frymë. Ishin shumë të qarta, me një gjuhë që është përdorur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit, është përdorur në rezolutat e Parlamentit, në dokumente zyrtare të institucioneve më prestigjioze që ndjekin çështje të caktuara si çështja e zgjedhjeve OSBE-ODIHR, të cilat amendime të opozitës janë miratuar nga Parlamenti Europian dhe janë hedhur poshtë nga kolegët socialistë dhe në këto rrethana pjesa opozitare e delegacionit nuk mund të pranonte një deklaratë që ishte sterile dhe paraqiste një realitet krejt tjetër nga ai që njohim, realiteti që ju njihni. Opozita mbështet shumë fuqishëm procesi ne integrimit, por mbi bazën e meritës, e mbështet atë mbi bazën e një njohje të vërtetë të realitetit dhe detyrave që duhet për të realizuar standardet e BE-së”, tha Haxhinasto.
Në replikë, Mila këmbënguli në qëndrimin e saj, duke theksuar se dokumenti final i miratuar në Komitetin Parlamentar përfaqëson qëndrimin politik për integrimin e Shqipërisë në BE dhe se vota kundër e opozitës bie ndesh me deklaratat publike në mbështetje të procesit europian.
Debati vijoi me replika mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, ndërsa në qendër të diskutimeve mbetën procesi i integrimit europian dhe qëndrimi i politikës shqiptare ndaj partnerëve ndërkombëtarë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.