Presidenti Begaj në Uzbekistan: Ka ardhur koha të kalojmë nga niveli formal në projekte konkrete
Presidenti Bajram Begaj, ka nisur një vizitë zyrtare në Uzbekistan me ftesë të homologut të tij, Shavkat Mirziyoyev.
Kjo është vizita e parë zyrtare e një presidenti shqiptar në Uzbekistan që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1993.
Gjatë qëndrimit në Tashkent, kreu i shtetit shqiptar u prit me ceremoni zyrtare nga autoritetet uzbeke dhe do të marrë pjesë gjithashtu në Forumin Ndërkombëtar të Investimeve 2026.
Në takimin mes dy presidentëve u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si ekonomia, tregtia, energjia, bujqësia, turizmi, inovacioni, arsimi dhe kultura.
Begaj vlerësoi se ka ardhur koha që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Uzbekistanit të kalojnë nga niveli formal në projekte konkrete që sjellin përfitime të ndërsjella.
Presidenti shqiptar theksoi rëndësinë e forcimit të kontakteve mes qytetarëve, studentëve, profesionistëve dhe bizneseve të dy vendeve, duke nënvizuar edhe nevojën për krijimin e një lidhjeje ajrore të drejtpërdrejtë mes Shqipërisë dhe Uzbekistanit.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm i vizitës ishte premtimi i palës uzbeke për hapjen e ambasadës së saj në Tiranë, një hap që pritet të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik.
Gjatë bisedimeve, Begaj prezantoi edhe progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke ritheksuar se anëtarësimi i plotë në Bashkimi Evropian mbetet objektivi strategjik i vendit. Sipas tij, Shqipëria po vijon reformat e nevojshme për përmbushjen e standardeve europiane dhe është e vendosur të avancojë drejt anëtarësimit të plotë në union.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.