Presidenti i FFK-së uron edicionin e ri: Ta bëjmë çdo edicion më të mirë se ai paraprak
Sot hapet perdja e edicionit të ri futbollistik në Kosovë, edicionit 2026/27, me pritshmëri për një sezon të mbushur me garë, emocione dhe spektakël në stadiumet e vendit.
Me rastin e fillimit të kampionatit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përcjellë urimet e tij për të gjitha klubet dhe komunitetin e futbollit, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të punës për ngritjen e standardeve të futbollit kosovar.
“Çdo fillim sezoni është një moment për të parë se ku kemi qenë, ku jemi dhe, mbi të gjitha, ku duam të shkojmë”, ka shkruar Ademi.
Sipas presidentit të FFK-së, futbolli i Kosovës po shënon progres të vazhdueshëm, me klubet që po bëhen më të organizuara, investimet në infrastrukturë që po rriten dhe kushtet për futbollistët që po përmirësohen. Ai ka veçuar gjithashtu zhvillimin e futbollit të vajzave dhe kategorive të reja si pjesë e rëndësishme e këtij procesi.
Ademi ka theksuar se, krahas përparimit, rriten edhe sfidat dhe kërkesat, pasi standardet e futbollit janë tashmë shumë më të larta.
“Si Federatë, përgjegjësia jonë është të krijojmë kushtet dhe një mjedis ku gara zhvillohet drejt, profesionalisht dhe me ‘fair-play’. Por zhvillimi i futbollit është një përgjegjësi që kërkon angazhimin e të gjithë komunitetit të futbollit: klubeve, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve, mediave dhe tifozëve”, është shprehur ai.
Në mesazhin e tij, presidenti i FFK-së i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe tifozëve, duke i cilësuar ata si “lojtari i 12-të” dhe duke bërë thirrje që pasioni për klubin të shprehet në mënyrë që i shërben futbollit.
Në këtë drejtim, Ademi ka përmendur edhe projektin e ndriçimit të stadiumeve, përmes të cilit FFK-ja synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e ndeshjeve dhe për përvojën e tifozëve në stadiume.
“Stadiumet tona duhet të jenë arena të spektaklit sportiv, ku fitohet e humbet me dinjitet, ku kundërshtari respektohet dhe ku pasioni shndërrohet në atmosferë”, ka shkruar ai.
Presidenti i FFK-së ka vënë në pah se ambicia e përbashkët duhet të jetë që çdo edicion të jetë më i mirë se ai paraprak dhe që futbolli i Kosovës të ecë gradualisht drejt standardeve më të larta evropiane.
“Sot përveçse nis një tjetër edicion garues, bashkë me të fillon edhe një mundësi e re për të dëshmuar se futbolli ynë po bëhet gjithnjë e më profesional, më konkurrues dhe më i respektuar”, ka theksuar Ademi.
Në fund, ai ka uruar të gjitha klubet për një sezon të suksesshëm, me garë të fortë, spektakël në stadiume, “fair-play” dhe sa më pak lëndime për futbollistët.
“Urime edicioni 2026/27! Qoftë një sezon i mbarë për futbollin e Kosovës”, ka përfunduar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.



