☀️
Tiranë 24°C · Kthjellët 19 August 2026
S&P 500 7,708 ▲0.22%
DOW 53,463 ▲0.22%
NASDAQ 26,331 ▲0.16%
NAFTA 84.07 ▲0.01%
ARI 4,569 ▲3.35%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1576 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.7656 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3640 EUR/TRY 55.4769 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6079 EUR/USD 1.1576 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.7656 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3640 EUR/TRY 55.4769 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6079
₿ CRYPTO
BTC $68,481 ▲ +6.02% ETH $2,106 ▲ +10.15% XRP $1.0689 ▲ +6.67% SOL $82.3100 ▲ +6.83%
S&P 500 7,708 ▲0.22 % DOW 53,463 ▲0.22 % NASDAQ 26,331 ▲0.16 % NAFTA 84.07 ▲0.01 % ARI 4,569 ▲3.35 % S&P 500 7,708 ▲0.22 % DOW 53,463 ▲0.22 % NASDAQ 26,331 ▲0.16 % NAFTA 84.07 ▲0.01 % ARI 4,569 ▲3.35 %
EUR/USD 1.1576 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.7656 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3640 EUR/TRY 55.4769 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6079 EUR/USD 1.1576 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.7656 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3640 EUR/TRY 55.4769 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6079
19 Aug 2026
Breaking
Kosova

Prokuroria Speciale: Shtatë raste të spiunazhit të lidhura me BIA-n, katër aktgjykime dënuese

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Bekim Kodraliu, ka bërë të ditur se gjatë dy viteve të fundit janë hetuar shtatë raste të spiunazhit, në të cilat dyshohet se persona të ndryshëm kanë qenë të rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë – BIA.

Në një intervistë për RTK-në, Kodraliu ka thënë se hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës.

“Më konkretisht, deri më tani kemi shtatë raste të spiunazhit me disa persona të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e rekrutimit të strukturave nga Agjencia e Inteligjencës serbe (BIA)”, ka deklaruar Kodraliu.

Sipas tij, deri më tani janë katër aktgjykime dënuese për veprat penale të spiunazhit, ndërsa dy prej tyre tashmë janë të formës së prerë.

“Kemi dy aktgjykime dënuese të cilat veç janë të formës së prerë, respektivisht të të dënuarit Aleksandër Vlajiq, si dhe të të dënuarit tjetër Bojan Jevtiq, të cilët që të dy kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ne kemi ofruar edhe prova konkrete”, ka thënë ai.

Dy të dënuarit ishin zyrtarë të lartë policorë

Kodraliu ka theksuar se ndjeshmërinë e këtyre rasteve e shtojnë edhe pozitat që kanë mbajtur disa prej personave të dënuar.

Sipas tij, Aleksandër Vlajiq dhe Bojan Jevtiq kanë qenë zyrtarë të lartë në Policinë e Kosovës.

“Njëri ka qenë toger me gradë në Policinë e Kosovës, më konkretisht në pikën kufitare në Kamenicë, dhe tjetri ka qenë zyrtar i inteligjencës së policisë në pjesën e Veriut të Mitrovicës”, ka deklaruar Kodraliu.

Ai ka thënë se pikërisht për shkak të pozitave të tyre, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë veprime urgjente për sigurimin e provave.

Rasti i Aleksandër Vlajiqit

Duke folur për rastin e Aleksandër Vlajiqit, Kodraliu ka bërë të ditur se ai është dënuar edhe për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë, në dhjetor të vitit 2022.

Sipas tij, gjatë ekzaminimit të telefonave të Vlajiqit janë gjetur dëshmi që kanë çuar në inicimin e hetimeve për spiunazh.

“Nga ekzaminimi i telefonave të të dënuarit Aleksandër Vlajiq kemi vërejtur dëshmi të mjaftueshme që të iniciojmë edhe rastin për spiunazh, e që nga sigurimi i provave të tjera kemi vërtetuar edhe para gjykatës që i njëjti ka qenë edhe i rekrutuar tek shërbimi inteligjent serb, më konkretisht te zyrtari, respektivisht personi përgjegjës i BIA-s në rajonin e Novipazarit”, ka deklaruar Kodraliu.

Ai ka bërë të ditur se nga ky hetim është iniciuar rast penal edhe ndaj një zyrtareje nga Mitrovica e Veriut, e cila ka qenë pjesë e misionit të OSBE-së në Kosovë.

Sipas Kodraliut, ajo është dënuar në shkallën e parë, ndërsa çështja aktualisht është duke u trajtuar në Gjykatën e Apelit.

“Për këtë arsye duhet të jem pak i rezervuar në trajtimin e kësaj zyrtareje, respektivisht e cila është duke u proceduar në gjykatë”, ka thënë ai.

Kodraliu për rastin Sheholli: Synohej dëmtimi i figurave politike

Prokurori Kodraliu ka folur edhe për rastin e Fatmir Shehollit, duke thënë se ai dyshohet se ka ofruar ndihmë për shërbimin inteligjent serb, konkretisht për një zyrtar të lartë të BIA-s për kundërterrorizëm, Bojan Dimiq.

Sipas Kodraliut, ndihma dyshohet se është ofruar për zbatimin e një misioni që kishte për qëllim dëmtimin e disa figurave politike në Kosovë.

“Fatmir Sheholli ka ofruar ndihmë për shërbimin inteligjent serb, konkretisht për zyrtarin e lartë të BIA-s për kundërterrorizëm, Bojan Dimiq, në implementimin e një misioni me qëllim të dëmtimit të disa figurave politike në Kosovë”, ka deklaruar Kodraliu.

Ai ka theksuar se, sipas hetimeve, synimi ishte që dëmtimi i këtyre figurave politike të ndodhte para zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë.

“E, çka është më e rëndësishmja, dëmtimi është synuar të shkaktohet para zgjedhjeve që janë mbajtur në Kosovë”, ka thënë Kodraliu.

Prokuroria Speciale vazhdon të trajtojë rastet e dyshuara të spiunazhit, ndërsa një pjesë e procedurave gjyqësore ende nuk kanë marrë vendim përfundimtar.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.