Protesta e qytetarëve, Berisha: Sloganet kundër opozitës nuk duhet të errësojnë pamjen madhështore
Protestat, të cilat kanë nisur prej dy javësh në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të vendit, Berisha i cilëson të fuqishme e të bekuara nga Zoti. Për kreun e selisë blu, Sali Berisha, çdo demokrat e demokrate duhet t’i mbështesë.
“Unë i bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, çdo zgjedhësi, çdo qytetari që ka votuar dhe voton për PD, por edhe çdo shqiptari që e do këtë vend, që të ka dëshirë të jetojë me dinjitet në këtë vend dhe fëmijët e tij të vazhdojnë ëndrrën e tyre në këtë vend, të mbështesë çdo protestë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Asnjë pretekst nuk ka të drejtë të përdoret për mosmbështetjen e tyre”, u shpreh kreu i PD.
Berisha dha edhe një përgjigje për sloganet kundër opozitës në protestën e qytetarëve.
“Sa u përket sloganeve kundër nesh, janë absolutisht vepër… më fal, qytetarët janë të lirë të thonë çdo slogan që duan, por ata që përpiqen t’i manipulojnë, ata janë mjeranë, ata janë mjeranë, janë opozitë e opozitës, vegël e qeverisë. Injorojini dhe mos keni asnjë impresion nga ato slogane. Nuk duhet miku im që gjethet të na pengojnë për të parë trungun e mrekullueshëm. Të bëjmë gjithçka që kjo lëvizje të triumfojë. Është lëvizja më qytetare që kemi pasur ndonjëherë nga viti 1990 gjer sot”, tha ai.
Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Sali Berisha, komentet i bëri në bashkëbisedimin me qytetarët online, ku edhe i falënderoi për mbështetjen e dhënë në pesë betejat për heqjen e sanksioneve ndaj tij nga Departamenti i Shtetit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.